E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elvana Hana: Paketa e shërbimeve shëndetësore falas për të gjithë popullatën

Paketa bazë e shërbimeve shëndetësore në kujdesin parësor ofrohet falas për të gjithë popullatën, ndërkohë që e njëjta metodë synohet të ndiqet dhe në sistemin spitalor, reforma në të cilin nisi në fillim të këtij viti. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, tha se "një pacient tashmë do të jetë shumë i garantuar dhe do të ketë një paketë transparente shërbimesh, e cila është atashuar në kontratat me të gjitha qendrat shëndetësore". Sipas saj, më pas do të bëhen transparente dhe detajet e kësaj pakete, e cila është pjesë e kontratave me të gjitha qendrat shëndetësore në të gjithë vendin, të cilat janë në proces lidhjeje. 

 “Kjo paketë do të jetë transparente për të gjithë publikun që merr shërbim shëndetësor në këto qendra shëndetësore, në mënyrë që ai të dijë se çfarë do të marrë, çfarë i takon të marrë nga mjeku dhe qendrat shëndetësore dhe t'i marrë ato në kushte pa paguar", tha znj. Hana.  

Në paketën e shërbimeve bazë shëndetësore në kujdesin parësor, që është një risi dhe për të cilën është punuar për dy vjet,  përfshihen 7 shërbime, ndër të cilët kujdesi ndaj nënës dhe fëmijës, promovimi i shëndetit dhe edukimi shëndetësor, etj. "Kjo paketë ka filluar që në vitin 2007, por nuk ka qenë kaq e detajuar dhe tranasparente sa ç’është aktualisht", tha znj. Hana. 

"Cilësia në shërbimin shëndetësor është një e mirë e drejtpërdrejtë që do të marrë pacienti në reformën e kujdesit shëndetësor parësor", theksoi ajo, duke shtuar se "shifrat në kujdesin shëndetësor parësor tregojnë se janë në rritje 2-6 fish, që janë arritje shumë të konsiderueshme". 

Ndërkohë, ISKSH synon që të ndjekë të njëjtën metodë edhe për qendrat spitalore, me nisjen e reformës në fillim të këtij viti. Drejtoresha e ISKSH-së theksoi se "kemi dhe këtu një paketë minimale bazë shërbimesh, për të cilën do të nisemi nga gjendja reale, që jepet sot në të gjithë vendin". Aktualisht, sipas saj, po punohet për këtë, ndërsa  kontratat, ku do të përcaktohet paketa bazë e shërbimeve do të lidhen brenda muajit mars, bazuar dhe në vendimin e Qeverisë. 

"Ne do të ndjekim të njëjtën logjikë", tha znj. Hana, duke shtuar se "ndoshta nuk do të jetë në këtë masë të parësorit, pasi nuk jemi në gjendje në këtë moment të nxjerrim një paketë bazë të tillë, për shkak se problemet e spitalorit janë të agravuara dhe të ndryshme". Sipas saj, "pas përfundimit të vlerësimit të gjendjes reale dhe në bazë të kontraktimit paraprak, ne do të jemi në gjendje të fillojmë punën për të evoluar një paketë të tillë, që synohet të jetë gati brenda vitit 2009". 

Paketat bazë të shërbimeve do të jenë të ndryshme dhe reale, sipas spitaleve ku do të ofrohet. "Paketa në një spital të caktuar do të jetë sipas shërbimit që jep sot, pasi vetë financimi bëhet për këtë lloj pakete shërbimi që i jep popullatës", theksoi drejtoresha e ISKSH-së, sipas së cilës, pas kësaj do të inicohet si një paketë minimale shërbimesh, por natyrisht ka koston e saj dhe kërkon negociata të mëvonshme me Qeverinë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›