Pushimi i reshjeve përmirësoi qarkullimin në akset nacionale

Ndërprerja e reshjeve të dëborës, pavarësisht se temperaturat vazhdojnë të jenë të ulta nga 0 deri në - 8 gradë celcius, kryesisht në disa zona veriore dhe verilindore të vendit, qarkullimi i automjeteve në akset nacionale vazhdon normalisht, ndërkohë që problem mbetet qarkullimi në disa zona të thella rurale të vendit.
Sipas informacioneve të grumbulluara deri në orën 10:30 të ditës së sotme në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, pranë Ministrisë së Brendshme, të marra nga specialistët dhe komisionet e emergjencave civile pranë institucionit të Prefektëve dhe Nënprefektëve, nga drejtuesit dhe përfaqësuesit e njësive të qeverisjes vendore, situata paraqitet si më poshtë:
Në Qarkun e Shkodrës akset nacionale janë të kalueshme me zinxhirë. Rrugët nga aksi nacional për në qendrat e komunave Shosh, Shalë, Pult, Iballë dhe Kelmend janë të bllokuara. Rruga për në qendrën e komunës Qelzë është hapur me një mjet të kontraktuar nga komuna. Në komunën e Shoshit është duke u punuar me një mjet për hapjen e rrugës, kurse për në qendrat e komunave të tjera, për momentin nuk ka mjete që punojnë për hapjen e këtyre akseve rrugore.
Sot përfundon riparimi i defektit në linjën elektrike dhe do të fillojë furnizimi me energji elektrike i zonës së Malësisë të Madhe dhe komunës së Velipojës, të cilat aktualisht janë pa energji elektrike, për shkak të defektit të djeshëm. Tre brigada të emergjencave elektrike, të ardhura edhe nga rrethet e tjera, po punojnë për riparimin e defektit.
Në Qarkun e Kukësit rrugët nacionale Morinë – Kukës – Qafë Shllak, Kukës – Krumë – Skatinë – Bajram Curri, Qafë Morinë- Bajram Curri – Fierzë janë të hapura, por mjetet qarkullojnë me zinxhirët. Ndërsa aksi nacional Kukës – Shishtavec është i kulueshëm me shumë vështirësi me zinxhirë, por deri në fshatin Novosej. Aksi Kukës – Peshkopi është i hapur në Domaj, ndërsa po punohet me një mjet për hapjen e rrugës së Rinisë, që lidh këtë aks rrugor. Në këtë qark vazhdojnë të jenë të bllokuara komunat Zapod, Shishtavec, Ujmisht, Bushtricë, Grykë Çajë, Arrën dhe Lekbibaj. Në të gjithë qarkun nuk ka mungesë në furnizimin me energji elektrike.Ndërprerje ka vetëm në komunat Bushtricë e Kalis që furnizohen nga Peshkopi, të cilat për shkak të një defekti në rrjet që pritet të riparohet sot.
Në Qarkun e Dibrës mësohet se rrugët nacionale janë të hapura, por kalimi i mjeteve bëhet me zinxhirë. Gjithashtu, rrugët për në qendrat e komunave janë të hapura, por qarkullohet me vështirësi me zinxhirë. Rruga për në Komunën Lurë nga Peshkopia, aktualisht vazhdon e bllokuar, por sot ka filluar punën një mjet për hapjen e saj. Funksionon rrugat tjetër nga Kurbneshi. Nuk bien reshje dëbore dhe qarkullimi i mjeteve për në komuna bëhet vetëm me zinxhirë. Rruga për në komunat e Xibrit dhe Macukullit është e hapur, por ngricat detyrojnë përdorimin e zinxhirëve.
Në Qarkun e Lezhës rrugët nacionale janë të hapura. Aksi Kurbnesh-Lurë është i hapur deri në Kurbnesh dhe po punohet nga një mjet i Drejtorisë Rajonale për hapjen e rrugës deri në qendër të komunës Lurë. Ndërkohë mësohet se akset nga rrugët nacionale deri në qendrat e komunave janë të hapura, por kalimi bëhet me zinxhirë. Më problematikë janë disa fshatra në komunat e rrethit të Mirditës, si në Orosh dhe Kaçinar, të cilat janë të izoluara. Po bëhen përpjekje nga vetë komunat për hapjen e rrugëve komunale.
Në Qarkun e Tiranës më problem janë disa fshatra në komunën e Zall Bastarit, të cilat janë të bllokuara nga dëbora. Priten të dërgohen ndihma ushqimore. Gjithashtu, në Komunën e Dajtit po punojnë dy mjete të ushtrisë për hapjen e rrugës nacionale Dajt-Shëngjergj.
Në Qarkun e Elbasanit nuk ka probleme në qarkullimin e mjeteve. Rrugët nacionale janë të kalueshme dhe gjithashtu dhe rrugët për në qendrat e komunave, por me zinxhirë.
Në Qarkun Korçë situata paraqitet pa probleme, por temperaturat janë të ulta. Qafa e Thanës, Qafa e Plloçës dhe Qafa e Qarrit kalohen vetëm me zinxhirë.
Në Qarkun e Gjirokastrës rrugët nacionale janë të hapura, por në Qafën e Muzinës kalohet vetëm me zinxhirë për shkak të ngricave. Edhe rrugët për në qendrat e komunave janë të hapura.
Qarkullimi i mjeteve në segmentin rrugor në Qafën e Llogorasë, 40 km në jug të Vlorës, që prej mëngjesit të sotëm është normalizuar.
Drejtori i Ndërmarrjes Rajonale të Rrugëve, Saimir Haxhiu, tha se "pavarësisht nga temperaturat e ulëta dhe ngricat, tashmë mjetet mund të lëvizin edhe pa zinxhirë".
"Rruga është pastruar tërësisht nga dëbora dhe në të gjithë gjatësinë e saj është hedhur dhe po vazhdon të hidhet kripë, gjë që eviton rreziqet që mund të shkaktojnë ngrica dhe akulli", tha Haxhiu.
Sipas tij, fadromat dhe borëpastrueset janë në zonë, të gatshme për të ndërhyrë në çdo rast të keqësimit të kushteve atmosferike.
Reshjet e dëborës në Qafën e Llogorasë, 1050 metra mbi nivelin e detit, janë ndërprerë prej paradites së të premtes. Kjo favorizoi punën për pastrimin e rrugës dhe hedhjen e kripës, duke krijuar kushte normale për qarkullimin e automjeteve.
Gjatë ditës së sotme në këtë segment, pjesë e rrugës Vlorë-Sarandë, është shtuar fluksi i lëvizjes së automjeteve në të dy kahjet.
Problemet në Qafën e Llogorasë nisën 3 ditë më parë, kur reshjet e dendura të dëborës bllokuan aksin rrugor, në një gjatësi prej rreth 10 km, nga fshati Palasë në Dukat Fshat. Kjo situatë nuk ishte regjistruar prej të paktën 10 vitesh.
...