E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Transporteve kërkoi sot penalizmin e subjekteve që shkelin detyrimet kontraktuale

Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit do të kërkojë penalizimin e të gjitha subjekteve që do të shkelin detyrimet kontraktuale.  Burime zyrtare të këtij dikasteri thanë se MPPTT-ja i ka kërkuar Agjencisë së Prokurimit Publik përjashtimin e subjekteve Rubin Petrol dhe Alba Konstruksion nga prokurimet publike, futjen e tyre në listën e zezë, ashtu sikurse ka kërkuar nga Komisioni i Posaçëm i Dhënies së Licencave fillimin e procedurave për heqjen e licencave të këtyre subjekteve të ndërtimit. "Shkak për këtë është bërë fakti që edhe pse i është shtyrë dy herë afati i punimeve për ndërtimin e Unazës Kavajë, ende sot e kësaj dite ato nuk kanë përfunduar. Përveç vonesave këto dy subjekte kanë realizuar një cilësi punimesh të papranueshme", thanë burimet. Sipas tyre, kërkesa e MPPTT drejtuar Agjencisë së Prokurimit Publik është vetëm një paralajmërim për të gjithë kontraktorët.  Burimet shtuan gjithashtu se MPPTT do të vazhdojë të marrë masa drastike dhe të dërgojë për penalizim të gjitha subjektet që nuk do të përmbushin detyrimet kontraktuale, si në shkeljen e afateve dhe në cilësinë e punimeve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›