Zaçe: Niveli i varfërisë ka arritur në rreth 14%
Zbutja e varfërisë, një nga përparësitë e qeverisë, është shoqëruar përgjatë katër viteve të fundit me ndryshime themelore legjislative, që garantojnë lehtësi për përfshirjen në skemën e ndihmës ekonomike edhe të grupeve të tjera në nevojë si, jetimët dhe viktimat e trafikimit. Ky angazhim bëri që vlerësimi i nivelit të varfërisë në 2008-ën të arrijë në rreth 14%, nga 18.7% që ishte në 2005. Në këtë periudhë zbatimi i instrumenteve ligjorë u shoqërua dhe nga një buxhet gjithnjë e në rritje. Zv/ministrja e Punës, Marieta Zaçe, tha se buxheti i shtetit mbështeti kategorinë e ndihmës ekonomike me 35% më shumë fonde se një vit më parë dhe në sajë të masave të marra, niveli mesatar i pagesës së ndihmës ekonomike për familje u rrit 64% (gjatë vitit 2007 masa mesatare per një familje ishte 1952 lekë në muaj, ndërsa gjatë 2008 arriti në 2894 leke ne muaj). Ndërsa numri i familjeve përfituese të futura për herë të parë në skemë ishte rreth 5 mijë, kryesisht nga komuniteti rom, apo familje me shumë fëmijë që jetojnë në varfëri ekstreme. Zbatimi i masës së kushtëzimit të ndihmës ekonomike me punë komunitare, përcaktuar në legjislacion dhe zbatuar në mjaft njësi vendore, ka ndikuar në përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet përfituese, si dhe në reduktimin e personave dhe familjeve abuzive. “Ndryshe nga më parë, dinamika e skemës së ndihmës ekonomike karakterizohet nga mbizotërimi i familjeve që kanë dalë nga skema (10 592 ) kundrejt familjeve që janë futur në skemë (8066)”, tha Zaçe. Sipas saj, nga pikpamja gjeografike varfëria është më e përqëndruar në zonat veriore dhe verilindore të vendit. Qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Kukës vazhdojnë të kenë shkallën më të lartë të varfërisë. Në këto qarqe të marra së bashku, familjet e varfëra përbëjnë rreth 48% të numrit total të familjeve në skemën e ndihmës ekonomike. Sigurisht, një detyrim mjaft serioz, vijoi Zaçe vazhdon të jetë administrimi me efektivitet i fondeve te ndihmës ekonomike dhe pagesave për PAK nga njësitë vendore dhe kontrolli i zbatimit rigoroz të kërkesave dhe kritereve te legjislacionit, si dhe parandalimi dhe ndëshkimi i çdo forme korrupsioni dhe abuzimi me fondet e destinuara për familjet dhe shtresat në nevojë. Zaçe tha është punuar për ngritjen e një rrjeti të qëndrueshëm të shërbimeve komunitare. Sipas saj, në zbatim të legjislacionit të miratuar për transferimin e institucioneve në vartësi të qeverisjes vendore, Shërbimi Social Shtetëror në bashkëpunim me njësitë vendore ka ndjekur të gjitha proceduart për kalimin e institucioneve në vartësi të këtyre njësive, si dhe janë deleguar fondet si grante të kushtëzuara që në fillim të vitit bashkive, me destinacion institucionet e shërbimeve.
Shërbime të tipit shtëpi- familje për kategoritë në nevojë
Ka filluar tashmë të zbatohet në dy njësi vendore, Durrës dhe Shkodër, deinstitucionalizimi i shërbimeve, pra kalimi nga shërbimet rezidenciale drejt shërbimeve të tipit shtëpi-familje, ku përfituesve u krijohen kushtet dhe mjedisi më i përafërt me ambientin familjar. Edhe pse tashmë janë vënë në funksionim 43 shërbime komunitare me mbështetjen e projektit “Shperndarja e Sherbimeve Sociale në Komunitet” të financuar nga BB, të cilat ofrojnë shërbime për femijët e rrugës, të moshuar, gra dhe vajza të trafikuara, fëmijë jetimë, të rinj të varur nga droga dhe alkoli etj., strukturat e Shërbimit Social Shtetëror po inspektojnë në vazhdimësi zbatimin e standardeve në ofrimin e shërbimeve. “Kjo pasi bashkëpunimi me njësitë vendore dhe OJF, që kanë ngritur këto shërbime, duhet të jetë i ngushtë dhe në funksion të ofrimit të shërbimit më të mirë për kategoritë në nevojë”, tha Zaçe, duke shtuar se organizata të paliçensuara dhe shërbime pa standarde nuk duhet të ekzistojnë më. Zbatimi i paketës së standardeve, sipas Zaçes, tashmë të miratuara, filloi zbatimin gjatë vitit 2008, por deri në zbatimin e plotë mbetet punë për të bërë dhe përkushtim i të gjitha strukturave përgjegjëse. Gjatë vitit 2008 u inspektuan dhe më pas licencuan 25 subjekte dhe rilicencuar 35 subjekte që ofrojnë shërbime sociale. “Por, numri i OJF që pretendon se ofron këtë shërbim është shumë më i madh dhe është detyrë e strukturave tona jo vetëm t’i identifikojnë, por edhe t’i inspektojnë dhe t’i vënë përpara përgjegjësisë për të zbatuar standardet” tha Zaçe. Gjatë këtij viti, shtoi ajo, nuk do të funksionojë asnjë OJF e paliçencuar.
Krijimi i mekanizmave të rinj
Viti që kaloi shënoi një sërë masash të reja në trajtimin e fëmijëve, personave të trafikuar, personave me aftësi të kufizuara dhe e moshës së tretë. Për herë të parë në Shqipëri gjatë 2008 u promovua dhe shërbimi i kujdestarisë për fëmijët në nevojë. Kjo u mundësua me miratimin e dokumentit për implementimin e Shërbimit të Kujdestarisë dhe Planit të Veprimit. Shërbimi filloi pilotimin në dy bashki (Tiranë, Shkodër) dhe deri në vitin 2013 synohet shtrirja në të gjithë vendin. U punua për forcimin e mekanizmave ligjore dhe institucionale mbrojtës të të drejtave të fëmijëve dhe ngritjen e strukturave për mbrojtjen e fëmijëve në nivel vendor dhe forcimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit me STF dhe UNICEF. Me mbështetjen e UNICEF-it, me ekspertizë të huaj, u hartua draft udhëzuesi për zbatimin e standardeve të përkujdesit shoqëror për personat e trafikuar ose në rrezik trafikimi. Për këtë u bë vlerësimi i të gjitha qendrave që ofrojnë shërbime për Viktimat e Trafikimit. Për personat me aftësi të kufizuar (PAK) objektivi kryesor është përmirësimi i kushteve të jetesës. U bënë përmiresime në ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqerore”, u hartua pr/ligji “Për statusin e PAK mendor dhe fizik“, duke garantuar trajtim të barabartë ligjor dhe më shumë pagesa e shërbime për PAK. Po ashtu gjatë vitit të kaluar të gjitha pagesat për këtë kategori pësuan rritjen më të madhe të bërë ndonjëherë, nëpërmjet një pakete të plotë të miratuara nga Këshilli i Ministrave në korrik të vitit 2008. Fondi per pagesen e aftesise se kufizuar dhe invalidet e punes, arriti ne 9.2 miliard leke. Në lidhje me shërbimet për këtë kategori, gjatë vitit 2008 përfundoi rikonstruksioni dhe u pajisën qendrat e shërbimeve sociale rezidenciale të Personave me Aftesi te Kufizuar në Shkodër, Durrës e Tiranë. Jashtë vëmendjes së Ministrisë së Punës nuk mbetën as të moshuarit. Tashmë Ministria, me mbështetjen e UNIFEM, ka filluar punën për përgatitjen e Dokumentit Zhvillues për Moshimin (2009-2013). Viti 2008 ishte viti i parë i zbatimit të Strategjise Ndërsektoriale të Përfshirjes Sociale, në procesin e monitorimit të të cilit Ministria e Punës ka rolin udheheqës. Me mbeshtetjen nga PNUD për zbatimin e Strategjise Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, u hartua plani i përgjitheshëm monitorues i Strategjisë së Perfshirjes Sociale dhe filloi zbatimi me synim rritjen e efektivitetit të tij.
...