E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elvis Rroshi: Kërkoj nga drejtësia zbardhjen e ngjarjes

Tiranë- Në një prononcim për gazetën “MAPO”, kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi thotë se kërkon nga organet hetimore zbardhjen e ngjarjes dhe gjetjen e autorëve të saj. “Kërkoj të gjenden autorët dhe të zbardhet plotësisht kjo ngjarje. Nuk dua t’u hyj detajeve të historisë, do të prononcohem më vonë se jam shumë i rënduar psikologjikisht”, është shprehur dje Roshi. Ai tha se është njoftuar për ngjarjen ndërsa ishte në Itali dhe është nisur menjëherë drejt Shqipërisë, pasi ka mbërritur në Rinas në orën 13:30. Roshi është njoftuar nga familjarët e tij dhe është shprehur se ka folur gjatë dje me bashkëshorten, në lidhje me rrethanat e agresionit ndaj saj. “Kam folur dhe e kam pyetur për të gjitha çfarë kishin ndodhur. Kërkoj zbardhje të plotë të ngjarjes”, - është shprehur Roshi. Tepër të rezervuar për të komentuar ngjarjen, familjarët e kryebashkiakut ishin në pritje të çdo lajmi që vinte nga policia, për klinikën e dyshuar apo për autorët e ngjarjes. “Ngjarjen e kemi lënë në dorë të drejtësisë. Jemi në pritje të hetimeve”, - thonë të afërm të Rroshit, të cilët refuzojnë të japin detaje të mëtejshme. Elvis Roshi është socialisti i parë që do të mandatohej nga bashkëqytetarët e tij, për të qeverisur së paku në katër vitet e ardhshme Kavajën, deri dje e njohur si bastion i demokratëve. Më 8 maj, Partia Socialiste ia doli të fitonte një qytet të konsideruar për vite me radhë si bastion i të djathtëve, për më tepër, qyteti që i dha për 20 vite me radhë mandatin e deputetit Kryeministrit të vendit. Edhe pse pa një backgraund politik dhe pothuajse i panjohur mediatikisht, kandidati Rroshi arriti të fitojë besimin e qytetarëve të Kavajës. Ai ka qenë emigrant për vite me radhë në Itali, e më pas është marrë me biznes privat në qytetin e Kavajës. I njohur deri pak kohë më parë si person apolitik, Rroshi u bë i njohur pas zgjedhjeve të 8 majit, si personi që mundi të djathtët në “shtëpinë” e tyre, në Kavajë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›