E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndiqen penalisht, pajisën me certifikatë të kërkuarin

SHKRUAN: Irena Vreto 02-06-2011 10:40

Korçë- I dënuari për përdhunimin e studentes çeke çon në ndjekje penale dy punonjës të gjendjes civile. Duke tentuar të fshehë identitetin për t’i shpëtuar drejtësisë, i shumë kërkuari Maljon Meçolli ka arritur të ndryshojë dhe emrin, ndonëse nuk iu është përmbajtur procedurave ligjore. Dy punonjës të gjendjes civile në komunën ku ai bën pjesë, në atë të Pojanit në rrethin e Korçës, janë pezulluar nga detyra, teksa janë nën akuzë për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Policia e Korçës, bëjnë të ditura për gazetën burimet zyrtare të saj, ka nisur procedimin penal për dy punonjës të gjendjes civile në komunën e Pojanit, pasi falsifikuan certifikatën e një personi të shpallur në kërkim. Theodhor Demiri, 64 vjeç, dhe Nevreze Rustemi, 53 vjeçe, janë personat që ndihmuan shumë të kërkuarin që grabiti dhe përdhunoi një studente çeke, bashkë me një shokun e vet edhe ky i dënuar nga drejtësia. Të dy punonjësit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë lëshuar një çertifikatë lindje për Maljon Mecollin, duke ndryshuar identitetin e tij, në Maljon Kolami, procedurë kjo që sipas policisë nuk është bërë konform ligjit. Maljon Meçolli u arrestua vetëm një ditë më parë nga policia e Korçës nën akuzën e grabitjes me dhunë të dy turistëve çekë dhe përdhunimin e vajzës çeke në aksin rrugor Korçë-Liqenas, në vendin e quajtur “Qafa e Zvezdës”. Krimi është kryer në bashkëpunim me Redion Terollin, i cili aktualisht vuan dënimin në burgun e Drenovës në Korçë. Mecolli ishte i shpallur në kërkim prej vitit 2006, ndërsa jetonte i lirë nën një identitet të rremë në qytetin e Bilishtit për 5 vite me radhë. Vetëm pas arrestimit të të kërkuarit policia juglindore ka arritur të zbulojë dhe falsifikimin. Në fakt asgjë nuk do ishte kuptuar në rast se 24-vjeçari që përdhunoi studenten çeke nuk do kishte me vete një certifikatë në momentin e ndalimit nga uniformat blu. Ai është përpjekur të justifikohet me identitetin e dytë të tij, duke iu bërë të ditur bluve se nuk kishte fare lidhje me personin që ata kërkonin. Në fakt gjithçka ka rezultuar një mashtrim, për të cilin kishin ndihmuar edhe dy punonjësit e gjendjes civile një burrë dhe një grua dhe konkretisht Theodhor Demiri 64 vjeç dhe Nevreze Rustemi 53 vjeçe, që tashme janë vënë nën hetim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›