Punonjësja e repartit: “E pashë kur ra plumbi në tokë dhe shpërtheu gjithçka”
Dëshmia e të mbijetuarës pak çaste pasi është evakuuar nga fshati Gërdec. Situata deri në orët e vona në spitalet e kryeqytetit, nisin procedurat për kurim jashtë shtetit
Jonida Tashi
Punëtorit të repartit të çarmatimit i ka rënë nga dora fisheku me gjithë predhë. Pas kësaj flakët kanë përfshirë naftën dhe gjithçka ka shpërthyer. Ky duket se është fillimi dhe fundi i tragjedisë së djeshme në Gërdec. Punonjësja e repartit të çarmatimit, Thellëza Gjoka ka rrëfyer dje për gazetën “Albania” nga Spitali Ushtarak gjithçka ka parë duke vrapuar më tej për t’iu shpëtuar valës së shpërthimit. 40-vjeçarja është një nga të mbijetuarit e tragjedisë së Gërdecit që mori dje ndihmën e parë mjekësorë në Spitalin Ushtarak. Thirrja për ndihmë për të gjetur të afërmit e tyre ka qenë fjala që ka pushtuar dje Spitalin Ushtarak. Të shpëtuarit nga kjo tragjedi kanë qenë më të traumatizuarit e kësaj ngjarjeje. Të afërmit e të lënduarve i kanë bërë shtetrrethim të fuqishëm Spitalit Ushtarak. Me lot në sy, secili prej tyre thërriste dhe kërkonte pjesëtarin e familjes së tij, pjesa më e madhe e të cilëve nuk dihej se ku ndodheshin. Ata nuk kanë reshtur së pyeturi njëri-tjetrin nëse ndokush i ka parë ndonjë nga të afërmit dhe asnjë prej tyre nuk ka qenë në gjendje të kujtojë ndonjë fytyrë. Megjithëse në Spitalin Ushtarak kanë qenë të pranishëm edhe drejtues të lartë të shtetit, banorët kanë reaguar shumë ashpër nga vizitat e politikanëve. Të pamundur për të folur me mediat, nën zë me njëri-tjetrin ata kanë pohuar se kjo tragjedi është faj i shtetit. “Nuk ishte për t’u sjellë mes fshatit gjithë ai municion”, - pohoi Thëllëza Gjoka, punonjëse e repartit. Ndërsa një shofer që ka transportuar lëndën plasëse tregon se tre mijë makina i ka shkarkuar vetëm ai aty. Megjithëse kanë jetuar prej vitesh me frikën e një shpërthimi të tillë, tashmë disa prej tyre janë tepër të frikësuar për t’u kthyer sërish në vendin ku kanë jetuar prej vitesh. Mes dhimbjesh dhe lotësh, një banore e fshatit Gërdec tregon se nuk ka ndërmend të kthehet më në atë vend sepse ka frikë. Pas tragjedisë, kjo frikë atyre u është shndërruar në tmerr. Gjithashtu, të shpëtuarit e kësaj tragjedie nuk kanë dashur të prononcohen as për mediat, pasi dhimbja e tyre ka qenë tejet e madhe. Një pjesë e tyre ka pranuar vetëm pas insistimit të gazetarëve se nëse do të dilnin në media të afërmit do të kishin më shumë mundësi për të mësuar mbi gjendjen e tyre reale. Gazeta “Albania” ka mundur të shkëpusë dje mes kaosit të krijuar copëza dëshmish që tregojnë më së miri se çfarë kanë përjetuar ato minuta tmerri banorët e fshatit Gërdec.
Një banore e Gërdecit:
“U shemb vendi, me zor kam dalë, nuk di nga kam ikur. Më ra predha te këmbët, më oshëtinë veshët dhe rashë në kanal. Nuk di nga janë njerëzit. Banorët që kanë mundur të largohen nga zona kanë shpëtuar. Ika se nuk shikoja dot asgjë nga tymi. Nuk dua ta shikoj më atë vend me sy. Unë isha duke i çuar bukën burrit që punonte duke suvatuar në një shtëpi trekatërshe. Sa hyra në katin e tretë të shtëpisë, pashë flakën dhe ika. Ata brenda në repart kanë vdekur të gjithë, u trondit ura në autostradë, shyqyr që kam ikur. Edhe Enver Hoxha donte të na hiqte se ishim në rrezik. Kam parë një orë luftë, nuk më bëhet më të shkoj në atë vend aty se kam frikë. Nuk dua të kthehem më në atë vend. Reparti është shumë afër shtëpive, të cilat gjenden në kodrën tij”.
Rusha:
“Ishin mbi 300 veta në repart, kam punuar vetë aty. U vranë të gjithë, kam qenë ballëpërballë me fishekët. Ai repart është hapur që në qershor të vitit të kaluar. Janë prishur të gjitha shtëpitë në kodër. Burri më është plagosur në dorë, por nuk e di ku kam djalin. Një djalë e kam në Tiranë, një në Itali. Dua djalin tim, nuk e di ku është”.
Baftjar Meçi:
“Kam qenë i pari që shkova në vendin e ngjarjes për të shpëtuar njerëz. Kam një furgon timin personal dhe mora tri gra dhe dy fëmijë të djegur komplet dhe me plagë. Në rrugë pashë edhe tre policë të plagosur, por nuk munda t’i merrja se ishte shumë tym. E dija vendin e punës e si punohej aty. Sapo pashë flakën u afrova për të shpëtuar njerëz. Më shumë civilë janë djegur. Brenda në repart nuk është futur dot njeri. Pasi kam ikur 3 km nga rruga kam dëgjuar shpërthimin e parë masiv. Copa e predhës më shqeu pasqyrën e furgonit, aty kam parë tmerr. Më kishin prishur shtëpinë. Në furgon kam rrobat e djegura të grave”.
Thëllëza Gjoka:
“Po punoja brenda në repart. Kam qenë punëtore në repartin e çarmatimit. Pashë që një punëtorit i rrëshqiti nga dora fisheku me gjithë predhë dhe plasi. Bërtitën gratë te nafta se mori flakë. Unë isha afër dhe ika me vrap dhe prapë më kapi flaka. Kam ikur nëpër pyll. Ata që janë futur në tunele nuk kanë gjë. Nuk dimë ku kemi fëmijët. Unë i kam pasur jashtë shtëpie, por nuk e di ku janë. Tani më thanë që kanë parë kunatën time me fëmijët, por s’e di. Nuk di ç’t’u tregoj as njerëzve që më pyesin për të afërmit e tyre. Kam parë tmerr me sy. Shtëpinë e kisha çerek ore larg repartit. Nuk kam asnjë njeri këtu. Nuk ishte për t’u sjellë mes fshatit gjithë ai municion. Punoja nga halli aty dhe merrja rrogë për aq sa punoja, ishte punë shumë e rëndë. Vetëm një shok kam marrë vesh që ka shpëtuar, tre fëmijët s’e di ku i kam, shoqen e ngushtë nuk e di se ku e kam. Brenda në repart ishim 150 punonjës dhe 10 specialistë”.
Dhurimi i gjakut, qytetarët u përgjigjen thirrjeve të mjekëve
Dhjetëra qytetarë jo vetëm të kryeqytetit u janë përgjigjur
thirrjeve të mjekëve për dhurim gjaku. Sapo është mësuar lajmi se ka shumë nevojë për gjak për shkak të numrit të madh të të plagosurve, qytetarët e kryeqytetit janë paraqitur menjëherë si në Spitalin Ushtarak, ashtu edhe në qendrën spitalore “Nënë Tereza”. Por, burime nga korrespondentët tanë në Korçë, Durrës dhe disa qytete të tjera pohojnë se qytetarët e këtyre qyteteve nuk kanë nguruar të dhurojnë gjak për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve. Numri i qytetarëve që ka mbërritur për dhurimin e gjakut ka qenë i konsiderueshëm sa u është dashur të mbajnë dhe radhë derisa kanë plotësuar formularët dhe më pas u është marrë sasia e nevojshme e gjakut. Ndërkohë mësohet se në orët e vona, ministri i Jashtëm maqedonas u ka premtuar zyrtarëve shqiptarë se do të sillte për ndihmë një sasi gjaku për të plagosurit.
17 Mars 2008