E Diel, 1 Nëntor 2026

Emergjencat, Shkodra e favorizuar... nga natyra

28/12/2011  Prefektja e re mbledhje komisionit, probleme vetëm me disa akse të bllokuara nga dëbora

SHKODER- Prefektja e re e Qarkut të Shkodrës, Voltana Ademi, ka zhvilluar mbledhjen e Komisionit të Emergjencave Civile, që kishte si synim paraqitjen e raporteve të drejtuesve të njësive vendore dhe institucioneve rreth masave të marra për përballimin me sukses të situatës së dimrit, si dhe problematikave të hasura. Mbledhja e Komisionit të Emergjencave Civile kishte si qëllim dhe koordinimin e mëtejshëm të punës ndërmjet institucioneve dhe pushtetit vendor, si dhe evidentimin dhe planifikimin e resurseve njerëzore dhe mjeteve që janë në dispozicion për situatat emergjente.

Emergjencat, falë natyrës mirë...

Gjatë takimit prefektja Ademi, në cilësinë e kryetares së Komisionit të Emergjencave Civile të qarkut Shkodër theksoi se nga të dhënat e deritanishme situata paraqitet mjaft e mirë në krahasim me atë të një viti më parë. Megjithatë, prefektja Ademi kërkoi nga pjesëmarrësit që të jenë gjithmonë në gatishmëri për çdo rast emergjence që mund të paraqitet. Ndërkohë kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, Maxhid Cungu, theksoi se reshjet e dëborës janë përballuar me sukses nga Ndërmarrjet e Rrugëve. Sipas Cungut, me ndërhyrjet e tyre të shpejta këto ndërmarrje kanë bërë të mundur mbajtjen hapur thuajse të të gjitha akseve kryesore rrugore. Cungu bëri të ditur se nga informacionet e marra në terren, aktualisht probleme paraqet rruga e Dukagjinit dhe rruga e Tamarës, ku situata është ende e vështirë, pavarësisht ndërhyrjeve që janë bërë e po bëhen. Në këtë pikë drejtuesit e komunave të thella malore të qarkut të Shkodrës kanë kërkuar nga Komisioni i Emergjencave Civile Shkodër që të merren masa të shpejta jo vetëm për mbajtjen e akseve rrugore malore të zhbllokuara, por edhe për sigurimin e më tepër baze ushqimore si për njerëzit, ashtu dhe për bagëtitë. Këto kërkesa u bënë nisur nga fakti se këto ditë kanë filluar ngricat në të gjitha zonat e thella malore dhe me rifillimin e reshjeve të dendura të dëborës, këto zona pritet të qëndrojnë në shumicën e kohës të izoluara.

Rreziku nga përmbytjet

Nga ana e tij drejtori i Bordit të Kullimit, Rudolf Rasha, ngriti problematikën e mungesës së fondeve dhe personelit për ruajtjen e 60 kilometër argjinature dhe 2 rezervuarëve. Drejtori i Bordit të Kullimit Rasha kërkoi nga njësitë vendore më tepër bashkëpunim për ruajtjen e këtyre argjinaturave dhe rezervuarëve, në mënyrë që të mos shkojnë dëm investimet dhe të jenë të mbrojtura zonat nga përmbytjet. Njëkohësisht Rasha ngriti si problem dhe domosdoshmërinë e nxjerrjes së fondeve të duhura për ndërtimin e argjinaturës së Pentarit, si një domosdoshmëri për shpëtimin nga përmbytja edhe të një pjese të Dajçit edhe të plazhit të Velipojës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›