E Diel, 1 Nëntor 2026

Sheshi i Tiranës ose korrigjimi i masakrës

28/12/2011  Ky shesh dhe dy bulevardet bashkuese të tij (“Dëshmorët e Kombit” dh“Zogu I”) përbëjnë arterien qendrore të qarkullimit të lëvizjes së automjeteve në qytet. Siç është konstatuar në të gjitha rastet, perturbimi i kësaj arterie i sjell këtij qarkullimi dhe vetë qytetarëve të Tiranës një shqetësim të jashtëzakonshëm. Kuptohet se bëhet fjalë për një ndryshim parimor të qendrës së qytetit, qoftë në rrafshin urbanistik, qoftë atë funksional. Madje, epërsia e njërit aspekt nuk mund të zbehë apo të hedhë poshtë aspektin tjetër. Plani belg për sheshin u tha se korrigjonte apo perfeksiononte atë francez. Në fakt, me gjithë trumbetimin me aq bujë të francezit si gjë perfekte, belgu i hiqte atij dy-tri ndërtesa krejtësisht absurde përpara hotel “Tiranës” e linte vetëm një ndërtesë absurde midis hotel “Tiranës” e Muzeut Kombëtar, si dhe ndërtesën midis Bankës dhe Muzeut, duke e kthyer sheshin gjithashtu në një hapësirë pedonale, ku qytetarët do të mund të ngjiteshin edhe në një piramidë të vogël, që ta do mendja se do të kulmonte atje ku ishte dikur shatërvani.

Ideja për të pasur një shesh pedonal është pozitive, por ky projekt, sipas meje, kishte probleme të mëdha për t’u kthyer në një realitet që do të përmirësonte jetën e qytetarëve. Pa folur për efektin shkatërrues për sa i përket peizazhit urban që do të sillnin ndërtesat e reja që do t’i shtoheshin rrotull sheshit, duke e kthyer në një pus të thellë, që e bënte qesharake idenë e piramidës. Por le të ndalemi te problemi funksional.

Sheshi do të humbiste me këtë projekt funksionin e tij si vendqarkullim i trafikut të rrugëve kryesore, që lidhin Tiranën perëndimore me atë lindore, verioren me atë jugore. Dhe ky nuk është problem i vogël. Në Tiranë ish-kryebashkiaku i përqendroi ndërtimet e reja në qendër në një mënyrë të paparë, duke shkelur çdo normë të dendësisë për metër katror. Po ashtu në vend të stimulimit të transportit publik e të kufizimit të trafikut vetëm për banorët e zonës ai u shqetësua vetëm të zgjerojë rrugët për të krijuar vende parkimi për makinat, që u shtuan pa asnjë kontroll, duke ngushtuar kësisoj trotuaret dhe nuk krijoi thuajse asgjë më tërheqëse për jetën publike jashtë zonës së qendrës.

Në këto kushte, sheshi “Skënderbej” u shfaq i dënuar të përballojë një kontradiktë të pazgjidhshme: nga njëra anë të bëhej vendi më tërheqës për këmbësorët e Tiranës, në anën tjetër të mbetej vendqarkullimi më i madh i makinave të kryeqytetit, për shkak se rrotull tij ekzistonte dhe parashikohej të shtohej dendësia maksimale e banorëve dhe e makinave. Kjo e dyta, në fakt, e shkatërron të parën, duke e lënë një gjë virtuale sheshin pedonal. Në kushtet e krijuara në Tiranë dhe me ato që parashikonte plani franko-belg, kjo ishte, sipas meje, e pamundur, sepse do ta vështirësonte edhe më jetën e qytetarëve në zonën përtej ndalimit të qarkullimit për mungesë të infrastrukturës rrugore.

Por edhe sikur ta pranojmë për një çast se do t’i hynim aventurës së planit franko-belg, do të duhej të paktën që kjo të kishte filluar duke bërë më parë infrastrukturën rrugore me kalime dhe nënkalime, që do të garantonin funksionimin normal të trafikut. As nuk mund të fillonin punimet për sheshin pa qenë më së pari e ndërtuar kjo infrastrukturë. E në këtë kontekst, le të mos harrojmë se qendra e Tiranës ka më se njëzet vjet që është shndërruar në një kantier ndërtimi që prodhon pluhur, ndotje dhe, ç’është më e keqja, edhe shëmtim. Plani franko-belg i Ramës minimumi na premtonte edhe njëzet vjet të tjerë kësisoj. Sheshi belg i Ramës nuk kishte destinacion, sepse nuk i jepte asnjë zgjidhje as trafikut dhe as parkimit në qytet, duke shtuar këtu se nuk kishte funksion, nuk kishte simbolikë dhe ka pasur një dimesion paligjshmërie.

Për mendimin tim, rehabilitimi i sheshit “Skënderbej” dhe transformimi i tij ne gjendjen e sotme solli tri elemente të rëndësishme dhe pozitive:

e para, zhbllokoi trafikun, pra shpëtimi i qarkullimit nga pikëpamja e funksionalitetit është shesh i qytetarëve; së dyti, eliminoi ndotjen dhe pluhurin e sheshit të papërfunduar; dhe së treti, u kthye në një situatë normale me më shumë gjelbërim, më shumë ndriçim dhe trotuare, duke përmendur këtu edhe shtimin e gjelbërimit, që është një ndjenjë pozitive dhe është çlodhës për syrin e qytetarit. Ndërhyrja e sotme është në suazat e një rehabilitimi që ka lehtësuar trafikun në Tiranë dhe është bërë në një kohë rekord. Kemi një dalje nga situata mizerabël e lënë nga administrata e Ramës, i cili për 11 vjet me radhë nuk e asfaltoi sheshin, por e ktheu atë në një gërmadhë mbeturinash.

Brenda 100 ditëve të para kryetari i Bashkisë u dha zgjidhje një sërë problemeve me sheshin e kryeqytetit. Ndërhyrja në shesh është e logjikës plan veprimi, pra plan emergjentë. Është zgjidhja që i është dhënë përgjigje e menjëhershme nevojës emergjente të komunitetit. Veprimet e kryera nga Bashkia e Tiranës synojnë stabilizimin e situatës aty ku ajo është afër kolapsit për shkak të planifikimit të varfër apo mungesës së planifikimit kur nisi projekti aktual. Zgjidhja e qarkullimit në shesh e sugjeruar nga specialistët e Bashkisë së Tiranës është më e mira, pasi kjo mund të çojë në frymëmarrjen e qarkullimit në Tiranë. Lirimi i dy akseve që të çojnë drejt qendrës është çelësi kryesor për përmirësimin e situatës momentalisht. Duhet theksuar se zgjidhja e qendrës nuk mund të vijë në mungesë të një plani rregullues për qytetin dhe duhet filluar të mendojmë për sheshin në një kontekst njerëzor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›