Emergjencat, nuk ka helikopter për transportimin e pacientëve jashtë vendit
Emanuela Sako
Pacientët e sëmurë rëndë nuk mund të kurohen dot jashtë vendit në momentin e duhur. Shkak bëhet mungesa e transportimit të menjëhershëm në rrugë ajrore, nëpërmjet helikopterëve sanitarë. Ministria e Shëndetësisë nuk ka asnjë helikopter në gjendje për të transportuar pacientë gjatë natës dhe gjatë ditës, mbi hapësirat ujore. Drejtori i Njësisë së Helikopterëve në Ministrinë e Shëndetësisë, Dhimitër Muslia, sqaroi për gazetën “Albania” se mungojnë helikopterë të tillë për të kryer udhëtimet ajrore natën dhe mbi det. Ndërsa nuk është bërë e mundur financiarisht pajisja me aparaturat e nevojshme për helikopterët e tjerë që janë në kujdesin e ministrisë. Aktualisht nën varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë janë gjashtë helikopterë që mund të kryejnë funksionin e ambulancës, por vetëm për brenda vendit dhe gjatë orëve të ditës. Ndërsa për rastet e tjera është e pamundur që të vijnë në ndihmë helikopterët sanitarë. Drejtori Muslia shpjegoi se për përballimin e rasteve të emergjencave, Ministria e Shëndetësisë bashkëpunon me Ministrinë e Mbrojtjes dhe transportimi i pacientëve jashtë vendit kryhet nga helikopterët e NATO-s. Autoritet shëndetësore sqarojnë se kjo situatë është e vjetër dhe ende nuk është arritur në një zgjidhje për blerjen e helikopterëve, pasi kostoja e tyre është shumë e lartë. Qeveria shqiptare e ka të pamundur blerjen e helikopterëve të mirëfilltë për të sëmurët.
Transportimi
Gjashtë helikopterët që janë nën varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë shërbejnë për kryerjen e transportit vetëm brenda vendit dhe gjatë orëve të ditës. Brenda këtij viti janë kryer 106 transportime të pacientëve, që kanë qenë në gjendje të rëndë shëndetësore. Transportimi i tyre është bërë nga një qytet i vendit drejt Tiranës, pranë spitalit Ushtarak apo QSUT-së. Ndërsa për një pjesë pacientësh që janë nisur drejt Greqisë, transportimi me helikopterë është realizuar deri në kufi dhe për të vazhduar më tej janë përdorur helikopterët sanitarë të shtetit grek. Mungesa e këtyre helikopterëve vë në rrezik jetën e pacientëve, për të cilët në shumicën e rasteve është e pamundur t’iu jepet ndihma e menjëhershme për transportimin me helikopterë sanitarë.
Rastet
Rastet që shfaqen për nevojën e helikopterëve të tillë janë të shumta, por aktualisht vënia në dispozicion të pacientëve për këtë shërbim është e pamundur. Rastet e emergjencave që kanë ndodhur në vendin tonë janë përballuar me ndihmën e vendeve fqinje. I tillë ka qenë rasti i tragjedisë së Gërdecit, ku një pjesë e të plagosurve u ndihmuan nga helikopterët sanitarë të shtetit italian dhe atij grek. Ndërsa rasti i fundit kur është bërë transportimi me helikopterë sanitarë drejt vendeve të tjera, është ai i politikanit, Gramoz Pashko, udhëtimi i të cilit rezultoi fatal, bashkë me bordin përkatës. Që nga ajo kohë nuk është bërë asnjë transport ajror për pacientët në gjendje të rëndë që duhet t’i nënshtrohen kurimit të menjëhershëm në një nga spitalet e vendeve të huaja.
22 Tetor 2008