E Shtunë, 31 Tetor 2026

MSH-ja, synon shtrirjen e projektit të Mamografisë falas



Në Ditën Botërore Kundër Kancerit të Gjirit, Ministria e Shëndetësisë po kërkon një zgjidhje për shtrirjen e projektit dhe kryerjen e Mamografisë falas. Drejtori i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Bardh Spahia, gjatë një konference për shtyp u shpreh se projekti INTERREG III rezultoi i suksesshëm në luftën kundër kancerit të gjirit. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë kërkon që të mundësojë shtyrjen e projektit italo-shqiptar, në mënyrë që gratë të kryejnë sa më shumë vizita falas për evidentimin e rasteve të prekjes nga tumoret. Kapja e sëmundjes në fazën fillestare mundëson parandalimin e përhapjes
Spahia bën të ditur se aktualisht janë kryer mbi 12 mijë ekzaminime Mamografike falas, në katër qendra në rrethe të ndryshme të vendit. Sipas tij, në një vit janë kryer mbi 12 mijë ekzaminime Mamografike, ku 310 gra kanë marrë përgjigje për praninë e sëmundjes së tumorit të gjirit.
Ai theksoi se çdo grua nga mosha 30-60 vjeç, duhet të bëjë Mamografi, që është një ekzaminimi i lehtë për t’u kryer, jo invaziv, i shpejtë dhe që të jep mundësinë të kapësh në kohën e duhur tumorin e gjirit. Shërbimi i Mamografisë ofrohet falas në 4 qendra në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Shkodër si dhe nga Kabineti i Mamografisë në shërbimin e imazherisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë dhe në konsultoren e gruas të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. Autoritet shëndetësore botërore raportojnë për shtim të numrit të pacienteve të prekura nga kanceri i gjirit. Specialistët japin këshilla për parandalimin e sëmundjes dhe mënyrën se si mund të dallohet sëmundja në fazat e para të ekspozimit të saj. Në ditën Ndërkombëtare Kundër Kancerit të Gjirit, Ministria e Shëndetësisë kërkon të sensibilizojë opinionin për mënyrat e parandalimit të kancerit të gjirit nëpërmjet kryerjes së vizitave në kohë. Ndërsa nga të dhënat e OBSH-së bëhet e ditur se çdo vit, rreth 185.000 gra në Evropë preken nga kanceri i gjirit dhe rreth 44.000 vdesin për shkak të kësaj sëmundjeje. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në çdo 9 gra, njëra do të sëmuret prej kancerit të gjirit. Sipas saj, kanceri i gjirit është një nga llojet më të shpeshta të kancereve tek gratë, sidomos tek ato mbi 35 vjeç.
Ndërsa në vendin tonë kanceri i gjirit është kanceri që haset më shpesh tek femrat. Ai përbën 25.6% të tumoreve malinje që prekin femrat sot dhe zë vendin e parë në shkaqet e vdekjeve të femrave. Prej kancerit të gjirit preken çdo vit rreth 350-400 gra.
Specialistët sqarojnë se kanceri i gjirit mund të kurohet në pjesën më të madhe të rasteve, mjafton të diagnostikohet në kohë. Kanceri i gjirit mund të mjekohet me sukses nëse pacientet e zbulojnë në kohë atë. Por, të gjitha gratë mund ta dallojnë vetë atë, duke parë ndryshimin e gjirit, nëpërmjet prekjes, apo nga dhimbja që mund të ndjejnë.

Analiza për serumin që shkaktoi reaksion tek 8 pacientë

Korçë - Drejtuesit e spitalit të Korçës kanë vendosur kryerjen e analizave fiziologjike në qendrën sanitare të qytetit. Nga kryerja e analizave një kampion do të dërgohet më pas në qendrën e kontrollit të barnave në Tiranë për të arritur në një konkluzion të qartë mbi solucionin tretës të serumit, që pak ditë më parë shkaktoi reaksion tek 8 pacientë të këtij spitali. Drejtori i spitalit rajonal të Korçës, Ilia Jatagani, aktualisht është dërguar për analizë fiziologjike një shishe me serum, e cila dyshohet të ketë shkaktuar reaksionin tek pacientët me sëmundje zemre. Sipas tij, pritet që së shpejti të dalin rezultatet e kësaj analize. Specialistët sqarojnë pak ditë më parë tek 8 pacientë janë shfaqur raste të reaksionit pirogen (me temperaturë) dhe shkaku mendohet se ka qenë përdorimi i të njëjtit solucion fiziologjik. Drejtuesit e spitalit të Korçës thanë se janë në pritje të rezultatit të analizave për të dhënë një përgjigje të qartë mbi shkakun e reaksionit tek një grup prej 8 pacientësh në këtë spital.

22 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›