E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e kasave fiskale, një tjetër problem për biznesin e vogël



Kasat në bizneset e vogla vazhdojnë të mungojnë në pjesën kryesore të tyre dhe të pakët janë ata që kanë hartuar regjistrat e thjeshtë të shitblerjes. Viti i parë i hyrjes në fuqi të procedurës së re në bazë të të cilit do të tatohet biznesi i vogël është marrë për një pjesë të përfaqësuesve të biznesit si një vit prove. Megjithatë, sipas ekspertëve kontabilistë, efektet e ligjit pritet të jenë tërësisht të plota në fund të vitit fiskal. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, sipas tatimorëve dhe ligjvënësve, procesi parashikohej të shoqërohej edhe me vendosjen e arkave regjistruese në çdo subjekt tregtar, ndaj do të nistë përdorimi i tyre, blerja me fatura, por edhe pajisja e klientit me faturën e shitjes. Të gjitha këto fatura, në bazë të normave tatimore do të ruheshin, madje sipas parashikimeve të ekspertëve, sipërmarrësit e vegjël do të fillonin t’u drejtoheshin kontabilistëve. Nga ana tjetër, asistenca e kontabilistëve duket e pamundur për sipërmarrësit e këtyre përmasave. Në bazë të ligjit të ri, çdo subjekt do të detyrohet që në fillim të vitit që vjen (në mars) të dorëzojë një deklaratë në formën e një bilanci të thjeshtuar, që përmban pasqyra të të ardhurave dhe shpenzimeve. Kjo deklaratë do të dorëzohet në sportelet e bankave, të cilat do t'ua kalojnë tatimeve, me qëllimin për të shmangur kontaktin tatimor-subjekt.

MPPTT harton projektligjin e planifikimit territorial

Ministria e Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit, prezantoi dje projektligjin e ri për planifikimin e territorit. Sipas drejtuesve të këtij dikasteri drafti përmban element të përmirësuar kundrejt ligjit ekzistues, pasi i jep më shumë kompetenca pushtetit vendor. Ministria ka parashikuar që gjatë ditëve të ardhshme ta diskutoj projektligjin edhe me Shoqatën e Bashkive, për tu njohur me mendimin e vendorëve.
Ministri Olldashi në fjalën e tij u shpreh se “kemi bërë një përpjekje për ta lidhur me mire draftin me buxhetimin që projektimi i territorit të mos jetë më një vendosje njollash, por të jetë një orientim për investimet publike apo private brenda territorit”. Më tej Olldashi shtoi se “kemi vendosur një hierarki më të mirë të planifikimit, ku i është dhenë një nivel më i qartë kompetencave të ndryshme, duke u prirë drejt delegimit të sa më shumë kompetencave tek njësitë e qeverisjes vendore dhe qarqeve”. Projektligji për planifikim e territorit parashikon ngritjen e një agjencie, e cila do të shërbejë si konsulente teknike për miratimin e planeve urbane.

22 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›