E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet bilanci i tragjedisë së Butrintit, katër të vdekur dhe një i zhdukur



SARANDË – Rriten përmasat e tragjedisë së Butrintit, duke iu afruar për nga bilanci tragjik asaj të 9 janarit të vitit 2005. Edhe dy trupa të pajetë janë gjetur gjatë kërkimeve të djeshme, ndërkohë që nuk dihet ende fati i një 17-vjeçari nga Lushnja, i cili dyshohet të ketë gjetur vdekjen mbrëmjen e së dielës. Burimet zyrtare të Policisë së Sarandës bëjnë të ditur se janë gjetur dy viktima, emrat e të cilëve janë bërë të ditur mbrëmë. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, dyshohet se ato iu përkasin shtetasve Festim Hoxha dhe Amarildo Kuka, nga Fieri, por identifikimi i saktë i tyre pritet të bëhet nga familjarët. Mbrëmë janë ndërprerë kërkimet për çështjen e shtetasit Ndriçim Myftari. Fillimisht u mendua se ishte njëri prej viktimave që dolën dje në mesditë, por babai i tij, Ylli Myftari, pasi ka parë trupin në morg ka përjashtuar mundësinë që të ishte djali i tij. Burimet policore shprehen se kërkimet për gjetjen e 17-vjeçarit Myftari do të rifillojnë në orët e para të ditës së sotme.
Dy viktima të tjera
Rreth mesditës së djeshme grupi kërkimor ka gjetur trupin e pajetë të një personi, i cili mendohet të jetë i moshës 30 vjeç. Fillimisht u dyshua se ai i përkiste Ndriçim Myftarit, por verifikimet e bëra e kanë rrëzuar këtë pistë. Ai ishte më i madh në moshë sesa 17-vjeçari dhe kishte rroba të cilat nuk i përkasin djalit lushnjar. Disa orë më vonë është gjetur një tjetër viktimë. Trupi i dytë i pajetë që është gjetur dyshohet se është timonieri i varkës së tragjedisë së Butrinit. Viktima mendohet se është rreth të 25-vjeç, pranë vendit të quajtur Vila e Peshkatarit. “Ai është i veshur me veshje sportive, por ende është i paidentifikuar”- thonë burimet. Sipas forcave të RENEA-s, që janë të angazhuar në këtë operacion, pranojnë se trupat janë gjetur në të njëjtën thellësi. Nga të dhënat e para, mësohet se trupi i dytë u gjet pranë vendit ku është mbytur varka e mbushur me klandestinë dhe kishte destinacion Greqinë. Burimet policore u shprehen mbrëmë se dy viktimat janë shtetasit Festim Hoxha dhe Amarildo Kuka. Por, ende nuk është bërë verifikimi përfundimtar i tyre. Në drejtim të Sarandës janë nisur të afërmit e dy viktimave, të cilët pritet të shohin trupat e tyre në morgun e Sarandës. Pas nxjerrjes nga uji të dy trupave të mbytur, ka shkuar në 4 numri i viktimave të tragjedisë.
Ndriçimi, ende i zhdukur
Nuk është Ndriçim Myftari i mbyturi i sapogjetur në Butrint. Lajmi konfirmohet nga babai i tij, Ylli, i cili thotë se “kufoma e sapogjetur nga forcat RENEA nuk është trupi i tim biri. Viktima është rreth 30 vjeç, me pantallona xhinse dhe me bluzë kafe. Me trup dhe moshë me të madh se Ndriçimi”, - tha Ylli Myftari, babai i djalit që dyshohet se është mbytur në Butrint natën e 19 tetorit kur u përmbys varka. Fillimisht u dyshua se trupi i pajetë ishte i Ndriçimit. Kjo sipas informacionit që dhanë për mediat uniformat blu në vendin e ngjarjes. Sapo trupi ka mbërritur në morgun e spitalit të Sarandës janë thirrur familjarët, të cilët i kanë konfirmuar policisë dhe mjekëve se nuk bëhet fjalë për të humburin Ndriçim Tashmë janë familjarët ata që e hedhin poshtë këtë version, duke iu rindezur edhe njëherë shpresat se Ndriçimi mund të jetë gjallë. Ai ishte natën e 19 tetorit në mes të emigrantëve klandestinë që po përgatiteshin për të kaluar ilegalisht drejt Greqisë përmes ujërave të liqenit të Butrintit. Ai deklarohet aktualisht nga policia si i humbur dhe pritet të nisin kërkimet për gjetjen e tij paraditen e sotme.
Ndonëse janë identifikuar katër viktima, ndërsa një tjetër është i zhdukur, ende nuk mund të thuhet zyrtarisht se sa është numri i personave që gjetën vdekjen në liqenin e Butrintit, në përpjekjen për të kaluar ilegalisht drejt Greqisë. Por, duket se bilanci tragjik i Butrintit po i afrohet atij të 9 janarit të vitit 2005.

TË VDEKURIT
Elvira Jaho, Berat
Klara Jaho, Berat
Festim Hoxha, Fier
Amarildo Kuka, Fier

I ZHDUKUR
Ndriçim Myftari, Lushnjë

22 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›