E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtohen taksat dhe ulen shitjet, biznesi i vogël “fundoset” në bilance negative



Ervin Koçi

Muajt e fundit të këtij viti kanë rezultuar mjaft negativë për subjektet private, kryesisht për biznesin e vogël, i cili është dominuar nga bilance humbëse. Këtë fakt e dëshmojnë dhe dokumentet e bilanceve mbi xhiron dhe shitjet që paraqiten çdo fund muaji në Drejtorinë e Tatimeve në Tiranë. Por më e keqja nuk ka ndodhur akoma. Kur mungojnë pak më shumë se dy muaj nga fundi i vitit, bizneset e vogla do të përpallen me një të vërtetë të hidhur. Që këtë vit do të hyjë në fuqi skema e tatimit 10 për qind mbi fitimin. Por problemi më i madh qëndron në faktin se shumë pak biznese rezultojnë të kenë ruajtur faturat tatimore, që do të justifikonin shpenzimet, në momentin kur tatimet do të fillojnë t’u llogarisin të ardhurat dhe fitimin. Në bazë të normave të reja tatimore, që nga fillimi i këtij viti, subjektet e “vogla” me një xhiro vjetore deri në 8 milion lekë do të duhet të derdhin në shtet tatimin mbi fitimin në masën 10 për qind. Pavarësisht se ata kanë paguar në fillim të vitit tatimin fiks të biznesit të vogël, në fund të vitit do të bëhet rivlerësimi i të ardhurave dhe fitimit. Kështu fitimi do të tatohet 10 për qind. Në rast se tatim fitimi rezulton më i lartë se shuma fikse e paguar në fillim, atëherë biznesi duhet të paguajë diferencën shtesë, në rast se rezulton më i ulët, biznesit do t’i kthehet shuma e paguar tepër në fillim të vitit.

Si funksionon skema

Drejtuesit e bizneseve të vogla janë të detyruar në bazë të ligjit të ruajnë të gjitha faturat e blerjes dhe shitjes, që do t’u justifikonin atyre shpenzimet dhe të ardhurat në fund të vitit. Por, në realitet situata pothuajse nuk ka ndryshuar. Pjesa dërrmuese e sipërmarrësve të vegjël, të pyetur nga gazeta “Albania” thonë se nuk po punojnë me fatura fiskale. Kush ka një biznes të vogël, përpiqet t’i shmanget blerjes me faturë dhe “për të qenë në rregull” nuk bën as faturë shitje. Në këtë kategori futen kryesisht tregtarët me pakicë dhe bizneset që ushtojnë aktivitet në sektorin e shërbimeve. Ndërsa një pjesë e tyre nuk i kanë ruajtur faturat e shitjes dhe blerjes së mallit apo shërbimit, shumë sipërmarrës të vegjël tregojnë se nuk e dinin që duhen ruajtur të gjitha faturat. Edhe një tregtar fruta-perimesh, tregon se nuk ka ruajtur, ose më mirë, nuk ka bërë asnjë faturë fiskale. Për këta të fundit, zgjidhja duket më e lehtë pasi ata arrijnë t’u shmangen faturave që në blerje. Procedura e mbajtjes së minibilanceve për ta duket më shumë formale, pasi siç shprehet një prej tregtarëve në kryeqytet, “tatimorët vendosin atë masë detyrimi që vlerësojnë të arsyeshme”. Kështu për bizneset, ruajtja e faturave është thjesht një punë e tepërt administrative.

Ankesat e bizneset

“Nuk jemi të informuar në lidhje me dokumentet që duhet të përdorim, kur duhet të marrim fatura, apo inventarët që duhet të mbajmë”, - këto janë disa prej justifikimeve që përdorin pronarët e sipërmarrjeve private të vogla në kryeqytet. Përmes pajisjes me kasa dhe detyrimit për të mbajtur dokumentacion tatimor, synimi i ligjvënësve është formalizimi i biznesit të vogël dhe zgjidhja e shqetësimeve të biznesit të madh, të cilët hasen me probleme faturash në veprimet që ata kryejnë me biznesin e vogël. Megjithatë, ndonëse po vjen fundi i vitit dhe të gjithë do të fillojnë të mbyllin bilancet, biznesi i vogël vazhdon të mbetet pak i informuar. Para vetëm pak kohësh, nga takimet e organizuara nga Dhomat e Tregtisë, bizneset i kanë vënë në dukje administratës tatimore të gjitha vështirësitë që po hasin. Sipas tyre, ata nuk janë aspak të informuar në lidhje me dokumentet që duhet të përdorin, kur duhet të marrin fatura apo inventarët që duhet të mbahen. Sipas tyre, deri tani nëpër biznese nuk janë bërë as kontrolle tatimore, të cilat do ta ndihmonin biznesin të orientohej më mirë. Përfaqësuesit e biznesit kanë vlerësuar se vetëm 40 për qind e biznesit të vogël është i pajisur me kasa dhe mban dokumentacion tatimor, qoftë edhe të pjesshëm.

BOX/////////////////////////
Kontabilistët: Bizneset pa fatura të rregullta do të paguajë më shumë

Ekspertët tatimorë të drejtorive rajonale kanë marrë urdhër që të verifikojnë shitjet e biznesit të madh duke vlerësuar kështu blerjet e biznesit të vogël. Prezantimi i një dokumentacioni të parregullt pranë organeve vendore tatimore do t’u kushtojë shumë biznesmenëve të vegjël. Sipas ekspertëve kontabilistë, shmangia e operimit më fatura blerje dhe shitje do të sillte një evazion më të madh fiskal. Por, nisur nga fakti që biznesi i madh është i interesuar të shesë me faturë për të justifikuar blerjet e tij, organi tatimor duket të ketë gjetur një zgjidhje. Një përllogaritje e kryqëzuar do t’i ndihmojë tatimorët të vlerësojnë tatimin mbi të ardhurat te biznesi i vogël. Sipas kontabilistit Agim Binaj, “kush nuk do të mbajë fatura të rregullta, do të detyrohet të paguajë më shumë”. Ndërsa sipas kontabilistit Sotiraq Dhamo, “dy janë mundësitë para së cilave do të gjenden bizneset e vogla në fund të vitit: 1) do të tatohen më shumë ata që kanë ruajtur faturat e shitjes (në këtë grup futet kryesisht biznesi i rregullt), 2) ose do të paguajnë aq taksa sa ‘duan vet뒔. Në rastin e fundit bëjnë pjesë ato biznese që nuk kanë arritur për arsye të ndryshme të pajisen dhe të ruajnë faturat e blerjes dhe rrjedhimisht nuk bëjnë as faturat e shitjes, sipas tij.

Detyrimet tatimore, rriten problemet për biznesin e madh

Mungesa e faturave të shitjes duket se po nxit gjithnjë e më shumë bizneset t’i shmangen blerjes me faturë tek tregtarët e mëdhenj, duke u krijuar vështirësi këtyre të fundit. Biznesi i madh është i interesuar të shesë me faturë pasi duhet të “justifikojë” përmes shitjeve vlerën e importit apo prodhimit. Në fakt, drejtuesit e lartë tatimorë nuk e kanë mohuar praninë e këtij problemi, por janë munduar të sqarojnë se aplikimi i taksës së sheshtë në të cilën po angazhohet edhe biznesi dhe rivënia në funksion e kasave elektronike do t’i japin zgjidhje problemit në fjalë. Sipas ekspertëve tatimorë, taksimi 10 për qind mbi të ardhurat neto do ta detyrojë biznesin e vogël të kërkojë faturë për çdo blerje në mënyrë që të justifikojë gjendjen e bilancit kontabël në fund të muajit. Sipas tyre, “nëse bizneset nuk i justifikojnë dokumentet e tyre në minibilanc me faturat përkatëse, do të përballen me sanksione ligjore”.

22 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›