E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia çon në Butrint kreun e Policisë së Shtetit



SARAND˖ Tragjedia e ndodhur në liqenin e Butrintit ka bërë që drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, të shkojë dje në Sarandë. Fillimisht ai është ndaluar në spitalin e këtij qyteti ku ka vizituar të mbijetuarit e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e tri netëve më parë, kur një varkë me klandestinë u mbyt në liqenin e Butrintit. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit thanë se, drejtori Prençi, pas takimit me të mbijetuarit, ka shkuar dhe në vendin e ngjarjes, ku prej orësh grupe polumbarësh janë duke punuar për gjetjen e trupit të pajetë të 17-vjeçarit Ndriçim Myftari, nga Lushnja. Gjatë vizitës së tij, ai ka takuar dhe efektivat e policisë, të cilët kanë më shumë se 48 orë që janë duke zhvilluar kërkime intensive për gjetjen e 17-vjeçarit, Ndriçim Myftari.

Vdes 48-vjeçari i dehur, motori u përplas me murin

LUSHNJË - I dehur mbi motor përplaset me murin dhe vdes. Ngjarja ka ndodhur në Ardenicë të rrethit të Lushnjës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se viktima është shtetasi Ramadan Graciani, nga Ura Vajgurore. Sipas tyre, 48-vjeçari Graciani ka humbur jetën pasi është përplasur fatalisht me murin anësor të një banese. Aksidenti ka ndodhur për shkak të mjegullës së dendur dhe gjendjes jo të mirë të drejtuesit të motorit. Policia që mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe konstatoi se 48-vjeçari nga Ura Vajgurore ishte në gjendje të dehur, në momentin kur ka ndodhur aksidenti.

Tenton të vrasë policin pas sherrit për aksidentin, shpallet në kërkim

DURRËS – Një përplasje mes dy automjetesh ka shkaktuar një valë konfliktesh ku janë përfshirë edhe forcat e rendit, ndërkohë që protagonisti i ngjarjes ka arritur t’iu ikë nga duart efektivave blu. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur katër ditë më parë në lagjen Nr. 4 të qytetit bregdetar, e pikërisht në bulevardin kryesor. Sipas tyre, Shyqyri Tartari, në kohën kur drejtonte automjetin tip “Opel” me targa AF 310 J, pronë e A.V., është përplasur me një automjet të parkuar në anë të rrugës, me targa TR 0731 F, pronë e G.P. Pas aksidentit, në vendin e ngjarjes ka shkuar një grup i Patrullës së Përgjithshme të Policisë i cili ka kryer veprimet administrative për shkelje të normave të Kodit Rrugor. Më pas Shyqyri Tatari është rikthyer në vendin e ngjarjes ku është konfliktuar lidhur me dëmin e shkaktuar me pronarin e automjetit të dëmtuar, G.P., të cilin ka tentuar ta nxjerrë me forcë jashtë lokalit ku ky i fundit punonte. Por, sipas burimeve policore, në momentin që Tatari ka tentuar të nxjerrë me dhunë G. P. nga lokali, ka ndërhyrë një punonjës i Drejtorisë së Policisë Qarkut Durrës i ndodhur në vendin e ngjarje. Ky i fundit, dhe pse është prezantuar si punonjës Policie, duke paraqitur dokumentin e Policisë së Shtetit, nuk është përfillur nga Shyqyri Tartari i cili ka vazhduar veprimet duke e share dhe fyer rëndë atë si. “Sapo kanë dalë jashtë, punonjësi i Policisë ka ndërhyrë për të ndërprerë veprimet e mëtejshme të Shyqyri Tartarit, i cili në këtë moment ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri, pistoletë me të cilën ka kryer një shkrepje në drejtim të punonjësit të Policisë, por pa mundur ta godasë pasi arma nuk ka realizuar qitje”, - deklaroi policia. Ajo tha se “i ndodhur përballë kësaj situate, edhe punonjësi i Policisë ka nxjerrë armën e tij të brezit dhe i ka bërë thirrje Shyqyri Tartarit të dorëzojë armën”. Ky i fundit, si rezultat i situatës së krijuar ka mundur të shkëputet dhe në largim e sipër, në kohën kur po ndiqej nga punonjësi i Policisë, ka kryer edhe një shkrepje tjetër në drejtim të uniformës blu, por arma përsëri nuk ka realizuar qitje. Tartari, duke mos pasur mundësi tjetër, hedh armën dhe largohet me shpejtësi. Grupi hetimor i krijuar lidhur me këtë ngjarje tha se i kreu gjithë veprimet e para hetimore. Në cilësinë e provës materiale u bllokua arma e zjarrit, pistoletë “Zastava” në krehrin e së cilës u gjetën 3 fishekë. “34 vjeçari Tartari është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij”, - tha policia. Ai akuzohet për veprat penale të “tentativës së vrasjes së cilësuar” dhe “mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake”.

22 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›