Nuk i mjekojnë shokun, shkatërron mjediset e pavionit
KRUJË – Një tjetër akt dhune ka ndodhur në mjediset spitalore, ku një 27-vjeçar ka ushtruar dhunë verbale ndaj bluzave të bardha dhe ka shkatërruar mjediset e pavionit pasi pretendonte se nuk i është dhënë ndihma e parë shokut të tij të aksidentuar. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi në orën 22.30 të mbrëmjes së dy ditëve më parë. Sipas tyre, autor i aktit të dhunshëm është shtetasi Edmond Karaj, lindur e banues në Fushë-Krujë. Ai ka dërguar shokun e tij B.K., në spitalin e qytetit të Krujës, duke kërkuar me sa më shumë shpejtësi që ai të mjekohej. Por kur ka parë reagimin e mjekëve, Edmondi e ka humbur durimin.
“Edmond Karaj, ka sharë dhe ofenduar punonjës të personelit të Spitalit të Krujës me pretendimin se këta të fundit nuk po mjekonin shokun e tij, B.K. i cili ndodhej në Urgjencë, pas një aksidenti automobilistik”, - tha zyrtarisht policia. Ajo shtoi se i dyshuari, “më pas, ka goditur derën e Urgjencës së spitalit duke e prishur atë”.
Policia tha se e arrestoi të riun dhe tani e akuzon atë për veprat penale të “prishjes së rendit dhe qetësisë publike” dhe “fyerjes për shkak të detyrës”.
22 Tetor 2008