E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimet për tragjedinë e Butrintit vënë në shënjestër 6 persona



TIRANË – Zbardhen të gjithë autorët që organizuan trafikun klandestin drejt Greqisë përmes liqenit të Butrintit, ku mbetën të vdekur 4 persona, ndërsa një tjetër konsiderohet i zhdukur. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit publikuan mbrëmë emrat e autorëve të dyshuar si të përfshirë në këtë rrjet. Burimet zyrtare shtuan se “është krijuar grupi i hetimit i kryesuar nga prokurori i rrethit të Sarandës, Alfred Agolli, në përbërje të të cilit janë drejtues të policisë të qarkut Vlorë, drejtues të sektorit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Policinë e Shtetit, oficerë të Policisë Gjyqësore, ekspertë kriminalistë, mjeko-ligjorë etj”.
“Deri në këtë moment janë shoqëruar dhe pyetur në polici 27 persona. Nga deklarimet e tyre rezulton se organizatorët, rekrutuesit, transportuesit dhe strehuesit e tyre janë, Dashamir Mane, Brahim Madhi, Hyqmet Sollaku, Albert Gega, Bashkim Sena dhe Ahmet Bushi. Për dy nga këta është bërë i mundur arrestimi i tyre, pasi ka rezultuar të jenë pronarë të dy varkave që u përmbytën mbrëmjen e së dielës në liqen. Personat e tjerë janë në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre. Nga të dhënat zyrtare dyshohet se mbi 23 persona janë shoqëruar dhe grumbulluar nga organizatoret e këtij kalimi të paligjshëm, nga zona të ndryshme të vendit, pa njohje me njëri-tjetrin. Për zbardhjen e plotë të skemës po punohet edhe me strukturat policore të rretheve të tjera dhe të vendit fqinj.

ORGANIZATORËT
Dashamir Mane, në kërkim
Brahim Madhi, në kërkim
Hyqmet Sollaku, në kërkim
Albert Gega, në kërkim
Bashkim Sena, i arrestuar
Ahmet Bushi, i arrestuar

22 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›