“Vlerësim korrekt për dëmet”
Ministri i Financave, Ridvan Bode inspektoi dje zonat e përmbytura në rrethin e Shkodrës ku garantoi vlerësimin e dëmeve të shkaktuara. Bode tha se Shtabi i Emergjencës ka akomoduar dhe siguruar gjithçka ju nevojitet banoreve të evakuuar. “Një izolim pak i zgjatur ngre problemin e mbështetjes me bazë ushqimore edhe për blegtorinë dhe nga dita e sotme do të fillojë shpërndarja e bazës ushqimore dhe për blegtorinë. Pra me ngritjen e një fondi operacional, në çdo ditë do të plotësojmë të gjitha nevojat jo vetëm për banoret por edhe për bagëtinë në këto zona pasi ky izolim mund të zgjasë dhe ditë të tjera”, tha Bode. Sipas tij qeveria do të përballojë çdo nevoje që ka zona e prekur nga përmbytjet. Kreu i Financave siguroi banorët që shpërndarja e bazës ushqimore do të jetë transparente dhe korrekte, si dhe do të bëhet vlerësimi i çdo dëmi të shkaktuar nga përmbytjet.