Prifti: Rregullorja lejon Fierzën 295.5 m kur prurjet kalojnë 1100 m3/s
Siguria e digave dhe hidrocentraleve është vlerësuar si primare dhe e garantuar ndërsa përmirësimi i situatës tashmë është fakt. Këto deklarata u bënë dje nga ministri i Energjetikës Dritan Prifti i cili zhvilloi një takim me grupin e punës që po menaxhon situatën. Për mediat pas diskutimeve me Sekretariatin Teknik dhe Grupin e Posaçëm ministri dha detaje lidhur me vendimet e marra. Refrenit se kuota maksimale e Fierzës nuk duhej lejuar mbi 290 ministri e kundërshtoi duke ju referuar akteve nënligjore të cilat thonë se kur prurjet e ujit janë mbi 1100 m3/s kuota e lejuar pas këtyre prurjeve në Fierzë është 295.5 metra absolute. Në këtë linjë ai shtoi se Rregullorja e shumëpërfolur është për të mbrojtur digat dhe jo për përmbytjet. Lidhur me regjimin e punës në vazhdim kreu i Energjetikës theksoi se në takim u vendos arritja e niveleve të përcaktuara në Rregullore për liqenet e kaskadës së Drinit. “Kemi vendosur që në Fierzë të shkojmë drejt nivelit 290 metër, kur për të dhënat e orës së fundit, pra të orës 18:00, liqeni është në nivelin 291.53 metra, me prurjet 700 metër kub ujë në sekondë dhe me shkarkimet rreth 1100 metër kub ujë në sekondë” u shpreh ai. Më tej për Komanin theksoi se është vendosur të shkohet drejt nivelit 170 metër, dhe dje ky nivel ka qenë 170.21 metër kurse shkarkimet kanë vijuar 1380 metër kub ujë në sekondë. Ndërsa në Vaun e Dejës shkarkimet janë ulur shkarkimet me rreth 200 m3/s duke shpresuar që kjo të ndikojë edhe në situatën e përmbytjeve në veri. Në fund ministri ka falënderuar specialistët për menaxhimin e situatës. n.m