E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Emergjente zgjedhja e kancelarëve të rinj"

Ilia Kristo, kreu i Këshillit të Administrimit në universitetin më të madh në vend, atë të Tiranës, sqaron problemin e hasur në zgjedhjen e kancelarëve të rinj. Ai tregon se pse duhet reformuar patjetër administrata në shkollat e larta, si dhe pse aktualisht nuk po realizohen një sërë veprimtarish në UT.

Si qëndron problemi i pezullimit të konkursit për kancelarë të UT-së dhe 8 fakulteteve të tij?

Sipas ligjit të arsimit të lartë, kompetencën për të zgjedhur kancelarët e rinj e ka Këshilli i Administrimit, që përbëhet nga 17 veta, ndër të cilët edhe autoritete të larta shtetërore. Në analizën e parë të Këshillit të Administrimit me rastin e miratimit të buxhetit të UT-së, u konstatuan nivele të diskutueshme përfaqësimi në administratë. Për këtë arsye u hartua një procedurë e detajuar për çeljen e konkursit për kancelarë, ku natyrisht kishin të drejtë të merrnin pjesë edhe ata që janë aktualisht në këto poste. Pasi bënë shpalljen në media, erdhën 28 kandidatura, ku 6 ishin vetëm për postin e kancelarit të rektoratit. U mblodhëm të gjithë anëtarët e këshillit për të zgjedhur kancelarin e ri të UT-së, kur njoftohemi për shtyrjen e afatit të konkurrimit. Ministria e Arsimit kishte nisur një faks ku thuhej se do të dalë një akt i ri normativ për përzgjedhjen e kancelarit. Urdhri ishte edhe për kancelarët e fakulteteve. Vendosëm të pezullonim konkursin dhe tani kërkojmë që të përshpejtohet miratimi i këtij akti.

Pse është emergjente zgjedhja e kancelarëve të rinj nëpër fakultete. A ka aktualisht njerëz që e kryejnë këtë funksion?

Në UT dhe në fakultete ka kancelarë, por përzgjedhjen e kancelarëve të rinj, Këshilli i Administrimit e ka cilësuar si pikënisje për reformimin e sistemit administrativ. Kjo për t‘iu përgjigjur situatës dinamike të tij në aplikimin e Kartës së Bolonjës dhe kërkesave të tjera të ligjit të arsimit të lartë. Sa më shpjet të miratohet akti normativ, aq më shpejt zbatohet buxheti dhe investimet në universitet dhe në fakultete. Mund të them se Këshilli i Administrimit ka qenë një strukturë proaktive që është mbledhur 2-3 herë në javë, por që për disa çështje është gjendur në vështirësi edhe pse aty janë gjithë "zyrat e shtetit". Gjysma e anëtarëve të Këshillit të Administrimit janë nga ministritë, prefekti etj., ndërsa pjesa tjetër përfaqësues të fakulteteve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›