E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakultetet mbeten pa kancelarë, pezullohet konkursi

Shkollat e larta në të gjithë vendin janë pa kancelar prej një jave. Ndaj kanë mbetur pa u realizuar investimet dhe gjithë procedurat e tjera që kryen "menaxheri financiar" i çdo universiteti apo fakulteti. Shkak është bërë një akt nënligjor që pritet të nxjerrë Ministria e Arsimit.

Pikërisht në ditën kur Këshilli i Administrimit ishte mbledhur për të zgjedhur kancelarin e ri të Universitetit të Tiranës, mbërrin me faks në rektorat shkresa zyrtare e firmosur nga ministri i Arsimit, Genc Pollo, që kërkonte të pezullohej konkursi për përzgjedhjen e kancelarëve të fakulteteve dhe universiteteve, deri në daljen e një akti të ri normativ. Ky faks ka mbërritur njëkohësisht edhe në universitetet e tjera që ishin në pritje të zhvillimit të konkursit për kancelar. Sipas dekanëve dhe rektorëve, kjo situatë e nderë ka paralizuar gjithë punën në shkollat e larta, pasi kancelarët aktualë ndihen të demotivuar për punën. "Ata janë në rrezik për vendin e punës, pasi emrat e rinj do të dalin nga konkursi, ndaj nuk kryejnë ato detyra të rëndësishme që kanë mbi supe". Kështu shprehen dekanët në Universitetin e Tiranës dhe atë Politeknik.

Përzgjedhjen e kancelarëve të fakulteteve tani e ka në dorë Këshilli i Administrimit dhe jo më drejtuesi i universitetit. Kështu të paktën shkruhet në ligjin e arsimit të lartë. Gjithsesi, pritet që akti nënligjor që do të nxjerrë Pollo të përcaktojë më qartë këtë procedurë. Në nenin 22 të ligjit thuhet se "kancelari i institucionit është përgjegjës për drejtimin e përditshëm, administrativ dhe financiar të institucionit, për zbatimin e buxhetit, për mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimeve financiare, si dhe për zbatimin e ligjshmërisë". Për sa i përket konkursit thuhet në pikën tre të nenit se "kandidatura për kancelar e një institucioni të arsimit të lartë përzgjidhet nga Këshilli i Administrimit dhe rektori ia paraqet atë ministrit të Arsimit dhe Shkencës për miratim. Kriteri kryesor është se kancelari i një institucioni të arsimit të lartë duhet të ketë formim universitar juridik ose ekonomik dhe së paku 5 vjet përvojë pune. Nisur nga kompetenca që i njeh ligji Këshilli i Administrimit në Universitetin e Tiranës ka çelur konkursin. Të njëjtën procedurë ka kryer edhe Universiteti Politeknik, Akademia e Arteve etj. Por kandidaturat e paraqitura tani janë pezull, nuk dihet nëse janë apo jo favorit për kancelar. Kjo pasi ministri i Arsimit mund të nxjerrë kritere të reja për aplikantët ose mund të ndryshojë totalisht procedurën e konkurrimit. Janë qindra dosje që presin në zyrat e rektorateve të 12 universiteteve shtetërore në vend. Ky nuk është i vetmi problem që kanë ndeshur shkollat e larta këtë vit. Që nga zgjedhja e autoriteteve të reja drejtuese në janar e deri tani, ato nuk kanë mundur të atashojnë gjithë organet kolegjiale. Kështu, në Universitetin e Vlorës ende nuk është konstituar Këshilli i Administrimit, ndërsa në Korçë ka vetëm dy javë që është mbledhur. Po mbaron viti akademik dhe ende diskutohet për emërime, konkurse të punonjësve në këto institucione. Shumë pak flitet për kurrikulat akademike, apo muret që po shemben siç ndodh te Fakulteti i Drejtësisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›