E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrugët turistike, kilometrat "fantazmë" të qeverisë

Turizmi është prioriteti i qeverisë, të paktën kështu deklarohet sa herë afrohet sezoni turistik. Por që të shijosh turizmin detar në Shqipëri, mundësitë nuk janë shumë të mëdha. Përveç zonave pranë qyteteve turistike, pjesët e tjera janë të pashkelura pothuajse nga turistët. Që të shijosh Adriatikun p.sh ke vetëm disa mundësi: Durrësin deri te Mali i Robit, Shëngjinin, Velipojën dhe Divjakën. Nëse do të shkosh më tej duhet të përdorësh makinë fuoristradë ose të ecësh në këmbë, sepse vetëm për dy, tre apo pesë kilometra rrugë, është e pamundur që të shkosh në breg të detit. Rrugë që të nxjerrin në det ka, por ato janë të pakalueshme dhe të shkatërruara.

Gjatë fushatës së vjetshme elektorale, Kryeministri Sali Berisha premtoi se qeveria e tij do të ndërtonte 6 mijë km rrugë rurale, 200 mijë USD çmimi për kilometër katror. Pra, totali i investimit për këto 6 mijë km rrugë rurale, sipas premtimit të Kryeministrit, duhet të ishte 1,2 mld USD. Por, as vitin e kaluar dhe as këtë vit, turistët shqiptarë dhe ata të huaj nuk mund të shijojnë bukuritë e plazheve, që ndodhen shumë afër, por që është e pamundur që të kalosh pak çaste relaksi në to, pa hequr shumë mundime. Nëse shikon realizimet e investimeve për rrugët rurale të vitit të kaluar, vëren se në vitin 2006-2007 janë investuar 41 milionë USD dhe janë realizuar vetëm 205 km rrugë rurale.

Diferenca që mbetet për vitin 2008-2009 është 5795 km rrugë rurale, ose 600 milionë dollarë/vit.

Lezha ka 38 km vijë bregdetare, të cilat mund të të krijojnë mundësi zhvillimi të turizmit për pika e vende të tjera plazhi e pushimi, përveç ekzistueseve të Shëngjinit, Kune-Vainit, Tales,

Patokut etj. Nëse gjithçka do të funksiononte siç duhet, kapaciteti i këtyre plazheve do të ishte për rreth 30 0000 pushues në vit. Por, që këto zona turistike të komunikojnë me rrugën nacionale duhen shkruar disa kilometra rrugë. Dy ditë më parë, Kryeministri i vendit deklaroi se lëshoi projektin për ndërtimin e rrugëve rurale. Prioritet për këtë vit do të jenë rrugët bujqësore dhe ato turistike. Fundi i qershorit është afati i përfundimit të këtyre tenderimeve. Teorikisht, këtë vit do të kemi disa mijë kilometra rrugë rurale të shtruara, por deri më sot është vërtetuar se vetëm premtime kemi marrë.

Tale

Rruga për në Tale është gropa-gropa. Tek-tuk mund të shikosh ndonjë copë asfalt. Në të gjithë gjatësinë e rrugës që të çon në breg të detit pamë vetëm një punëtor, i cili mbushte gropat e vogla të një pjese të segmentit të rrugës

Patok

Laguna e Patokut është një nga pjesët e Ultësirës Perëndimore të bregdetit shqiptar në Adriatik. Një tabelë buzë superstradës që të dërgon në Lezhë shënon Patok. Nëse ndjek këtë rrugë, mos llogarit dëmtimin e pjesëve të këmbimit të makinës, ose duhet të ecësh në këmbë për disa kilometra. Një fatkeqësi e tillë, u ndodh nostalgjikëve, që duan të shikojnë, Patokun, një nga plazhet më të bukura të brezave të viteve ‘60-‘80. 9 km, që të fusin në thellësi të lagunës, të duhet t‘i përshkosh për gati 40 minuta.

Deri aty, ka qenë një sakrificë e pafund. Edhe pse bukuria natyrore është shumë e madhe, kudo vëren se dora e njeriut mungon

Kune

Gjatë rrugës së Shëngjinit, pas 4-5 km, përballesh me plazhin ku shfaqen dy rrugë, njëra që shkon për në qytetin e Shëngjinit, tjetra për në Kune, një vijë rreth 4-5 km bregdet, ku ndodhet edhe plazhi popullor. Një plazh dhe vend piktoresk, që më tepër mund të jetë shumë i kërkuar nga turistët familjarë, por që nuk ka një rrugë për të qenë. Ajo që e bën të veçantë këtë plazh është breshka e detit e cila, në kohën e shumëzimit, del e lëshon vezët në rërën e tij

Spille

Plazhi i Spillesë zë një pjesë të vogël të vijës bregdetare të vendit. Ndryshe nga plazhet e tjera që mbipopullohen rëndom, ky plazh i ka shpëtuar manisë së ndërtimeve në rërë. Tabela tregon se është vetëm 15 km larg rrugës nacionale Kavajë-Rrogozhinë. Por për të arritur në plazh duhen rreth 40 minuta të ecësh me makinë. Në këtë rast preferohet një makinë fuoristradë, meqenëse do të ecësh gjatë. Kjo për shkak të rrugës së shkatërruar dhe mungesës së tabelave orientuese. Edhe këtë vit turistëve të rinj u duhet të ecin kuturu deri në plazh

Plazhi i Gjeneralit

Është plazhi më i madh, 400 m i gjatë, 50 m i gjerë, më i pastërti në gjithë rivierën e kodrave të Kryevidhit të rrethit të Kavajës. Ndodhet midis dy kepave shkëmborë dhe është formuar nga veprimtaria akumuluese e valëve të detit. Ka formën e patkoit dhe rrethohet nga shpate kodrash. Për të vizituar këtë plazh duhet ndjekur rruga automobilistike Kavajë-Bardhor, rreth 12 km e asfaltuar dhe më pas fillon rruga këmbësore rreth 20 minuta. Pra, nëse nuk ecën më këmbë, nuk mund të shijosh këtë bukuri të natyrës



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›