Rama në kongresin e PDS-së, s’garanton përfaqësimin në Kuvend
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, përshëndeti dje kongresin e Partisë Demokracia Sociale të drejtuar nga Paskal Milo, nga ku u bëri të qartë anëtarëve të kësaj partie se tashmë nuk ka më Dushk. Përpara kongresmenëve të kësaj force aleate, Rama tha se ruan një respekt për këtë parti, por u shpreh se tashmë ka një sistem zgjedhor të ri që bazohet tek meritat, duke anashkaluar mbështetjen për hyrjen në Kuvend të PDS-së. “Kemi ndërruar sistemin. Kemi kaluar nga fletët e Dushkut që kalbën zgjedhjet dhe neveritën zgjedhësit, tek fletët e votimit të drejtpërdrejta për çdo forcë dhe për çdo lider politik. Ky është një ndryshim i madh, por edhe një sfidë për të gjitha forcat politike”, - deklaroi Rama. Sipas tij: “Ky është ndryshim i madh, por është edhe një sfidë e madhe për këtë forcë të re politike, që ka lindur dhe po formësohet përmes bashkimit tonë të ri, mes partive të opozitës sonë të re dhe përtej këtyre, mes nesh dhe qytetarëve e qytetareve që e duan ndryshimin e shumëpritur prej 18 vjetësh”.