Meta: LSI, e majta e kthjellët
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, vijoi dje takimet me banorët e njësisë numër 5 në kryeqytet, në zonën e ish-Bllokut, nga ku deklaroi se LSI-ja është e vetmja forcë e majtë e kthjellët që garon në zgjedhje. Meta i bëri thirrje elektoratit të majtë që të votojë këtë forcë politike, pasi sipas tij, nuk kanë për t’u zhgënjyer. “Ju nuk do të zhgënjeheni nga votat që do të jepni për ne dhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim, sepse më 28 qershor, një gjë është fare e qartë dhe e kthjellët, forca fituese do të jetë LSI-ja, sepse ajo është forca që do të ofrojë garancitë që qeverisja e ardhshme do të jetë vërtetë e majtë, vërtetë sociale dhe vërtetë për të ndihmuar njerëzit dhe do të jetë një qeverisje progresiste që do ta çojë Shqipërinë përpara dhe do ta afrojë realisht me Bashkimin Evropian”, - deklaroi Meta. Ai shoqërohej nga zv. kryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, nënkryetarja Erisa Xhixho dhe nga sekretari i Marrëdhënieve me Publikun, Luan Rama. Meta u shpreh i sigurt se LSI-ja i njeh më mirë se të gjitha forcat e tjera problemet e kësaj zone të kryeqytetit, ndaj dhe do të jetë garante për zgjidhjen e tyre pas 28 qershorit.