E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalistët miratojnë kandidatët për deputetë



Partia Lëvizja e Legalitetit miratoi dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, listat e kandidatëve për deputetët me të cilat do të garojë në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryetari i PLL-së, Ekrem Spahia, tha se kjo parti ka bërë një përzgjedhje të mirë, çka sipas tij, do të sigurojë përfaqësimin në Kuvend. “Sot kemi listën prej 140 kandidatësh në të 12 qarqet e vendit, në të cilat përfshihen intelektualë të njohur nga bota akademike, drejtësia, kultura etj., si dhe kandidatë shqiptarë të ardhur nga SHBA-ja dhe vende të tjera perëndimore, përfaqësues të mërgatës së vjetër politike, por dhe të emigracionit të ri”, - tha Spahia. Ai u shpreh i bindur në fitoren e koalicionit të djathtë. “Fitorja e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe ripërtëritja e mandatit qeverisës do të krijojë mundësinë që sipas marrëveshjes elektorale me PD-në, PLL-ja të jetë partnere në bashkëqeverisjen e vendit, në hartimin e programit qeverisës dhe përfaqësimin e saj në të gjitha nivelet e qeverisjes së vendit, sipas peshës politike që do të dëshmohet nga zgjedhjet e 28 qershorit”, - deklaroi Spahia.

Sot, seanca e fundit, presin 21 projektligje

Sot mblidhet seanca e fundit parlamentare e kësaj legjislature, e cila pritet të miratojë një numër rekord projektligjesh, plot 21 të tilla. Seanca e sotme pritet të ketë një debat të ndezur politik, pasi opozita dhe mazhoranca pritet të bëjnë bilancet e tyre të katër viteve të këtij Kuvendi. Sipas kalendarit të punimeve, në rend të ditës do të jenë 7 kredi, si ajo për financimin e projekteve të rrugëve dytësore, shërbimet sociale, zhvillimin e zonave rurale malore, rrugën Durrës-Kukës dhe garantimin e projektit të privatizimit të OSSH-së. Njëkohësisht do të miratohet edhe projektligji i reformës në drejtësi, ai i Gjykatës Administrative. Gjithashtu, do të votohen projektligjet për tregtinë elektronike, gjendjen civile, taksat kombëtare, lejet dhe licencat, rishikimin e titujve të pronësisë mbi tokat bujqësore dhe financimin e bashkësive fetare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›