E Diel, 1 Nëntor 2026

KLSH: Ja shkeljet e Rrëshen - Kalimash

  Sipas kontrollit të KLSH-së janë konstatuar shkelje të konkurrencës në tender, çmime të diktuara dhe evasion fiskal
Aleksandra Bogdani
TIRANË- Shkelje të konkurrencës në tender, çmime të diktuara nga firma "Bechtel" dhe evazion fiskal, në dëm të buxhetit të shtetit. Kjo është përgjigja që vjen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për rrugën Rrëshen-Kalimash, në kohën kur opozita nuk resht së denoncuari shkeljet, kur qeveria përpiqet me çdo mjet të shpërqendrojë vëmendjen nga akuzat, tek rëndësia historike e kësaj rruge dhe kur kryeprokurorja Ina Rama nuk po e ndan mendjen të marrë një vendim për ministrin pa imunitet, Lulzim Basha. Konkluzionet e ekspertëve të KLSH-së për aksin e shumëpërfolur Rrëshen-Kalimash janë përfshirë brenda një raporti voluminoz mbi kontrollin e të gjithë tenderave të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, raport ky që pritet të bëhet publik paraditen e sotme. Ndërkohë, kopje të këtij raporti kanë mbërritur dje në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, në Prokurorinë e Tiranës dhe në zyrën e Prokurores së Përgjithshme.
Thuajse në të njëjtën linjë me hetimin e prokurorisë shfaqen në raportin e KLSH-së procedurat për përzgjedhjen e firmës fituese të tenderit, Bechtel-Enka. Burime nga prokuroria bënë me dije mbrëmë për "Shekullin" se KLSH ka evidentuar se në përzgjedhjen e firmës fituese, nuk është zbatuar legjislacioni shqiptar, duke mos garantuar parimin e barazisë në tender. "Nga ajo çka kemi lexuar në raportin e KLSH-së, thuhet se në vendimin e qeverisë specifikohen vetëm kriteret për konkurrentët në tender, por jo ligjin që përdoret", -thonë burime nga prokuroria, të cilat kujtojnë se kontrata e qeverisë shqiptare me firmën fituese është lidhur në bazë të ligjit anglez. Një tjetër pikë e kontrollit për aksin e shumëpërfolur ka të bëjë me çmimet e aplikuara për volum pune. Ndryshe nga prokuroria, Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk ka mundur të nxjerrë një vlerë dëmi ekonomik, por është theksuar se në kontratë janë pranuar çmimet e ofruara nga firma Bechtel. Siç është bërë me dije nga hetimi i prokurorisë, çmimet për njësi të firmës që po ndërton rrugën Rrëshen-Kalimash janë thuajse dy herë më të larta sesa çmimet e tregut. Barra fiskale nga të cilat janë liruar firmat fituese, për t'ia ngarkuar sërish buxhetit të shtetit konsiderohet shkelje e legjislacionit. Sipas raportit, firmat fituese jo vetëm të aksit Rrëshen-Kalimash, por të gjithë rrugës Durrës-Kukës janë përjashtuar nga TVSH-ja dhe tatimet mbi të ardhurat, çka përbën shkelje të ligjit.
 
Raporti përfundimtar i KLSH-së është shoqëruar edhe me dy kallëzime penale në Prokurorinë e Tiranës. Burime nga kjo prokurori bëjnë me dije se kontrolli i KLSH-së ka zbuluar një shkelje prej 45 milionë lekësh në lotin nr.3 të rrugës Durrës-Kukës, për të cilën ka bërë kallëzim. Përgjegjës për këtë shkelje është cilësuar kryetari i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, njëherazi nëndrejtor i Përgjithshëm i Rrugëve, Skënder Çota. Kallëzimi i dytë penal ka në fokus shkelje të një tjetër tenderi rruge, që nuk ka lidhje me atë Durrës-Kukës. Ndërkohë, pjesë e këtij raporti janë thuajse të gjitha rrugët që janë prokuruar gjatë vitit të kaluar, por rezultatet për to pritet të bëhen publike në konferencën e paralajmëruar për shtyp në Kontrollin e Lartë të Shtetit. Tashmë pritet që dosjes hetimore për rrugën Rrëshen-Kalimash t'i bashkangjitet edhe raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, për t'i lehtësuar ndoshta vendimin kryeprokurores Ina Rama.
Konkurrenca
Në përzgjedhjen e firmës fituese, nuk është zbatuar legjislacioni shqiptar, duke mos garantuar parimin e barazisë në tender. Në vendimin e qeverisë specifikohen vetëm kriteret për konkurrentët në tender, por jo ligji që përdoret, duke nënkuptuar se duhej zbatuar legjislacioni shqiptar
Çmimet për njësi
Një tjetër pikë e kontrollit për aksin e shumëpërfolur ka të bëjë me çmimet e aplikuara për volum pune. Ndryshe nga prokuroria, Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk ka mundur të nxjerrë një vlerë dëmi ekonomik, por është theksuar se në kontratë janë pranuar çmimet e diktuara nga Bechtel
Evazioni fiskal
Barra fiskale nga të cilat janë liruar firmat fituese, për t'ia ngarkuar sërish buxhetit të shtetit konsiderohet shkelje e legjislacionit. Sipas raportit, firmat fituese jo vetëm të aksit Rrëshen-Kalimash, por të gjithë rrugës Durrës-Kukës janë përjashtuar nga TVSH-ja dhe tatimet mbi të ardhurat

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›