E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emerllahu: “S’jam pishman që shkova te Vardari”

Tetovë, 12 janar - Mesfushori i Shkëndija '79, Burhan Emurllahu të enjten është paraqitur në seancën stërvitore të skuadrës së Vardarit. Ndërkohë drejtuesit e Shkëndijës në mbledhjen e tyre fundit kanë vendosur që Emurrllahut të mos ia japin dokumentacionet e nevojshme. Vendimet e kryesisë së klubit sulmuesi Emurllahu nuk deshi t'i komentojë. "Unë nuk kam se cfarë të komentoj, sepse ata më kanë borxh mua. Të hollat e kontratës nuk mi kanë dhënë, pastaj unë kam status amatori në klub. Jam duke menduar rreth karrierës sime të mëtutjeshme, prandaj po shkoj te Vardari", është shprehur Emurllahu.
Ai thotë se nuk është penduar aspak që ka zgjedhur skuadrën e Vardarit.
"Jo nuk jam pishman. Mendoj se me Shkëndijën kam arritur maksimumin, ndërsa tani në skuadrën e re dëshiroj të arrijë edhe më shumë në karrierën time. Jam 24 vjecar dhe dua të përparoj në sportin e futbollit, sepse karriera e lojtarit është e shkurtër", thotë ai.
Edhe pse të gjithë janë shqiptarë, Emurrllahu kërkesën e ka bërë në gjuhën maqedonase. Ai nga drejtuesit e klubit ka kërkuar të marrë fletëcregjistrimin me qëllim që të vazhdojë karrierën e tij si profesionist në skuadrën e Vardarit të Shkupit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›