Emërohen shefat e njësive të reja të policisë rrugore
Emërohen gjithë drejtuesit e policisë rrugore në qarqe. Struktura e policisë rrugore, e cila është e re, pothuajse ka përfunduar, ndërkohë që kanë mbetur pa emëruar edhe disa shefa sektorësh në qendër. Në 12 njësitë e reja të krijuara janë emëruar shefat e rinj, ndërkohë që ndryshime ka pasur edhe në përhapjen gjeografike të këtyre njësive. Sipas të dhënave, njësitë rajonale të qarkullimit rrugor nuk do të jenë si drejtoritë e qarkut të policisë. Ato kanë territore të ndryshme në disa raste. Kështu, në njësinë rajonale të Tiranës ka pasur një ndryshim. Pavarësisht se Komisariati i Kavajës, që mbulon territorin e këtij qyteti, është në varësi të Drejtorisë së Qarkut Tiranë, për qarkullimin rrugor nuk do të jetë e njëjta procedurë. Kavaja do të jetë nën juridiksionin e njësisë rajonale të policisë rrugore në Durrës. Teksa qytetit bregdetar i është shtuar një qytet për policinë rrugore, nga ana tjetër i është hequr qyteti i Krujës. Sipas të dhënave, ky qytet do të kalojë në njësinë rajonale të policisë rrugore në Lezhë. Ndryshime kanë pësuar edhe njësia rajonale e policisë rrugore në Gjirokastër dhe në Vlorë. Sipas të dhënave, njësia rajonale e policisë rrugore në Gjirokastër, veç këtij qyteti, Përmetit dhe Tepelenës, mbulon edhe qytetet Sarandë e Delvinë. Ndërsa njësia rajonale e Vlorës ka nën juridiksion vetëm këtë qytet. Njësitë e tjera rajonale nuk kanë pasur asnjë ndryshim, ashtu siç janë edhe drejtoritë e policisë në qarqe. Sipas policisë, këto njësi varen direkt nga Drejtoria e Policisë Rrugore, ku në krye të saj është vendosur Vullnet Topalli. Në këtë drejtori ndodhen pesë sektorë, ku deri tani janë emëruar shefat e dy prej tyre. Kështu, Shkëlzen Aliaj është shefi i sektorit të qarkullimit dhe sigurisë rrugore, ndërsa Krenar Ahmeti është shefi i njësisë për kontrollin e autostradave. Drejtoria në qendër ka edhe tre sektorë të tjerë, të cilët janë sektori i planifikimit dhe analizës, sektori i edukimit, verifikimit e parandalimit dhe sektori i shërbimeve mbështetëse.
#