E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikantë droge të armatosur përplasen me armë me policinë

Tiranë, arrestohen pesë prej tyre dhe sekuestrohen 5.3 kg heroinë

Antidroga e kryeqytetit dhe operacionet speciale janë përballur dje me një grup të armatosur teksa ishin nisur për të sekuestruar 5 kg heroinë. Grupi që shiste drogën ka qëlluar me armë ndaj tyre dhe më pas ka tentuar të arratiset nga vendi i ngjarjes. Përplasja ka ndodhur te “Zogu i Zi”, kur oficerët e policisë janë afruar për të goditur trafikantët e drogës, të cilët sillnin heroinën nga Maqedonia dhe që mendohet se origjina ishte Turqia. Gjatë ndërhyrjes, policia ka mundur të ndalojë pesë persona e të shpallë në kërkim disa të tjerë, ndërkohë që janë sekuestruar 5 kg heroinë. Burimet policore shpjeguan se nga përplasja me armë nuk ka mbetur i dëmtuar asnjë punonjës policie dhe asnjë nga trafikantët e drogës.

Zyrtarisht, Policia e Tiranës tha se në kuadër të operacionit policor të koduar “Servis”, i realizuar nga specialistët e seksionit kundër narkotikëve në policinë e kryeqytetit, u sekuestruan 5 kg e 330 gramë lëndë narkotike, e dyshuar heroinë, si dhe u vendosën në pranga pesë persona. Gjatë operacionit u arrestuan AM, 18 vjeç, banues në Tiranë, FS, 19 vjeç, emigrant me shtetësi angleze, NR, 52 vjeç, banues në Tiranë, me kombësi greke dhe shtetësi shqiptare, FR, 27 vjeç, lindur e banues në Tiranë dhe LN, 35 vjeç, lindur e banues në Tiranë.

Ndërkohë, do të ndiqen në hetim të lirë FU, 37 vjeç, BB, 53 vjeç dhe IB, 23 vjeçe, me banim në Tiranë. Pas një hetimi 3-mujor, i realizuar duke aplikuar metodat speciale të hetimit nga specialistët e seksionit të luftës kundër narkotikëve, u mundësua kapja e tyre në rrugën “Don Bosko” Tiranë, pranë servis “Bashkimi”. Pas hetimit u konkludua se shtetasit e lartpërmendur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin siguruar një sasi të konsiderueshme lënde narkotike, e dyshuar e llojit heroinë, me qëllim shitjen dhe shpërndarjen e saj në tregun e Tiranës.

Gjatë momenteve të ndalimit të tyre, këta persona për t’iu shmangur forcave të policisë, kanë reaguar duke u përplasur dhe goditur me automjetet e tyre me automjetet e policisë. Falë një ndërhyrje nga sektori i operacioneve speciale, në bashkëpunim me specialistët e seksionit kundër narkotikëve, u bë e mundur kapja dhe neutralizimi i tyre. Një prej tyre dyshohet se ka qëlluar me pistoletë, ndërkohë që policia i është kundërpërgjigjur me armë, duke qëlluar në ajër.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tri automjete luksoze, si BMW, “Benz CLS”, “Opel Astra”. Nga strukturat antidrogë të Policisë së Tiranës po punohet për dokumentimin e plotë të aktivitetit të tyre kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Gjithashtu po punohet për gjetjen e aseteve të përfituara nga kjo veprimtari kriminale. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›