Grabitja e 62 mijë frangave zvicerane, prokuroria zbardh ngjarjen e vitit 2000
Gjykata e Tiranës i ka dhënë leje prokurorisë për të kontrolluar banesën e shtetasit Sajmir Lama në një fshat të Tiranës, pasi dyshon se ai është autori i një grabitje të ndodhur në vitin 2000. Ngjarja është zbardhur, ndërsa prokuroria i ka kërkuar “ndihmë” gjykatës për të vendosur kontroll banese, pasi ka pasur dyshime se Lama ka fshehur sende të grabitura në banesë. Gjykata, pasi shqyrtoi aktet, vëren se prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka paraqitur kërkesën për lejimin e kontrollit të banesës së shtetasit Sajmir Lama. Kjo kërkesë bëhet për arsye se nëpërmjet procedimit penal Nr. 459, të vitit 2000, prokuroria po heton për gjetjen e autorëve për kryerjen e veprës penale “vjedhje me armë”. Sipas hetimeve paraprake, rezulton se në datë 24 mars 2000, rreth orës 16.00, përgjatë rrugës nga Rinasi në Tiranë, në vendin e quajtur Qafa e Kasharit, Tiranë, shtetasit Maksim Male, i cili ishte drejtues dhe pronar i mjetit tip “Fiat Uno”, me targë TR 9798 C, dhe dy pasagjerët Eklant Rrahmanlliu dhe Marsela Male janë vjedhur me armë nga katër persona. Këta të fundit i kanë zënë rrugën makinës së të dëmtuarve me një makinë të tipit “Renault”. Autorët kanë hapur dyert e makinës “Fiat Uno”, me targë TR 9798 C dhe i kanë marrë një valixhe, dy çanta dhe një xhup lëkure shtetases Marsela Male. Kjo e fundit atë ditë kishte ardhur nga Zvicra për në Tiranë, ku jetonte me bashkëshortin e saj Maksim Male. Edhe shtetasit Maksim Male i kanë marrë armën e tij tip pistoletë TT, të cilën e mbante për shkak të detyrës, si punonjës në Komisariatin e Policisë Krujë. Në valixhe dhe në dy çantat shtetasja Marsela Male ka pasur 62000 franga zvicerane, rroba veshje të saj, si pantallona, xhupa, triko, fustane, këpucë, çantë, të cilat i ka shpjeguar me hollësi në deklarimin e dhënë pas ngjarjes. Gjatë këqyrjes së mjetit tip “Fiat Uno”, me targë TR 9798 C, janë gjetur gjurmë daktiloskopike në pjesën e brendshme të xhamave të makinës. Nga akti i ekspertimit daktiloskopik Nr. 1495, datë 18 shkurt 2010 të Institutit të Policisë Shkencore është konkluduar se gjurmët papilare të pasqyruara në fotografinë “A”, të fiksuara në vendin e ngjarjes në automjetin tip “Fiat Uno” me targë TR 9798 C, janë formuar nga gishti i mesit, i unazës dhe i vogël i dorës së majtë të shtetasit Sajmir Rizvan Lama. Shtetasi Maksim Male ka deklaruar se nuk e njeh shtetasin Sajmir Lama dhe se nuk ka hipur në makinë persona të tjerë veç familjarëve të tij. Në këto rrethana, duke pasur parasysh se gjurmët daktiloskopike të dorës së shtetasit Sajmir Lama janë gjetur në makinën e vjedhur me armë, nga organi i akuzës dyshohet që shtetasi Sajmir Lama të jetë një nga autorët e ngjarjes së ndodhur me datë 24 mars 2000.
Duke pasur parasysh që në makinë janë vjedhur disa sende, siç u përshkrua më lart, nga prokuroria u kërkua që të lejohet kryerja e kontrollit të banesës së shtetasit Sajmir Lama, me banim në Komunën Bërxullë, Tiranë. Gjykata konkludon se ka arsye të bazuara për të menduar se nga shtetasi Sajmir Lama mund të fshihen sende ose prova materiale që i përkasin veprës penale për të cilën procedohet nga prokuroria. Në këto kushte, kërkesa e prokurorisë për kryerjen e kontrollit të banesës së shtetasit Sajmir Lama është e bazuar në ligj e në prova dhe si e tillë duhet pranuar. Mësohet se banesa është kontrolluar në datën 23 qershor 2010, ndërsa të dhënat i janë dërguar Prokurorisë së Tiranës.
#