E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emërohet ekipi për Komunën e Mitrovicës Veriore

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, ka emëruar 14 anëtarë në Ekipin përgatitor për formimin e komunës së re të Mitrovicës Veriore.

Ekipi ka mandat teknik për të përgatitur të gjitha resurset, pasuritë dhe strukturat administrative që nevojiten për krijimin dhe funksionimin e ardhshëm të komunës së re të Mitrovicës Veriore.

“Pjesëtarëve të emëruar të EPK-së do t’u bashkohet edhe nga një përfaqësues i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, një përfaqësues nga ‘komuna amë’ dhe një përfaqësues nga Zyra Civile Ndërkombëtare", thuhet në komunikatë.

Feith i ka përgëzuar anëtarët e këtij ekipi që kanë pranuar të punojnë “për t’i vënë gurthemelet e një të ardhmeje të re dhe pozitive për komunitetin e tyre”, ndërsa ka ofruar mbështetjen e tij.

“Kjo paraqet një mundësi për një fillim të ri për të gjithë në komunën e re, synimi final i së cilës është që veriu i Mitrovicës, të bëhet një komunë me një të ardhme pozitive, të qëndrueshme, të sigurt dhe prosperuese për njerëzit që jetojnë atje”, ka thënë Feith.

Krijimi i komunës së re në veri të Mitrovicës, në kuadër të një sistemi të vetëm të qeverisjes lokale anembanë Kosovës, sipas Feith, do ta përafrojë qeverinë komunale me komunitetin, do ta avancojë zhvillimin ekonomik, dhe do të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve ndaj problemeve konkrete dhe qasjes në resurse më të mëdha.

Ndërsa, ministri i Administrimi të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati ka thënë se me emërimin i anëtarëve te ekipeve përgatitore komunale për veriun e Mitrovicës, nëpërmjet realizimit të procesit të decentralizmit institucionet e Kosovës po synojnë ta realizojnë objektivin e përbashkët për krijim e një gjendje stabile në veri të vendit.

Duke garantuar mbështetjen e MAPL-së për EPK-të, ministri Ferati, ka porositur anëtarët e Ekipit Përgatitor që gjatë punës së tyre të bashkëpunojnë ngushtë me qytetarët dhe të japin kontributin e tyre maksimal drejt krijimit të parakushteve për jetë më të mirë për qytetarët.

"Qytetin e Mitrovicës e kam shikuar me prioritetin më të madh gjatë punës sime. Ju garantoj mbështetjen e plotë të ministrisë që unë drejtor. Do të punojmë bashkërisht për të krijuar një jetë më të mirë dhe paqësore për të gjithë qytetarët", ka thënë ministri Ferati.

Ekipi përgatitor komunal përbëhet nga 14 anëtarë prej të cilëve tre janë shqiptarë, nëntë serbë dhe dy boshnjakë. Ekipi do të ketë edhe nga një anëtar nga MAPL, një nga ICO dhe një anëtar nga Komuna e Mitrovicës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›