“Shtëpia e BE-së” në veri të Kosovës

I dërguari special i Bashkimit Evropian (BE) për pjesën veriore të Kosovës, ambasadori italian Michael Giffoni, ka thënë se synimi i tij kryesor është promovimi i së ardhmes evropiane të Kosovës në pjesën veriore të saj dhe zgjidhjen e problemeve të përditshme të popullsisë lokale.
Në një deklaratë për “Oservatorio Balkani”, Giffoni ka thënë të premten se prioritet i tij është promovimi i vizionit evropian për të ardhmen e Kosovës, në pjesën veriore të saj që sipas tij është me rëndësi vitale.
“Në këtë moment, BE nuk është shumë e dukshme në veri të lumit Ibër, gjë që i sjell njerëzit te konkludimet e gabuara se BE-ja nuk ka plane për këtë rajon”, tha Giffoni.
Ai ka paralajmëruar se në veri të Mitrovicës së shpejti do të hapet “Shtëpia e BE-së”, me qëllim që brenda një kohe të shkurtër të arrihet një simbol i prekshëm i pranisë së BE-së në veri të Kosovës.
“Në një plan afatgjatë, shpresojmë se ‘Shtëpia e BE-së’ do të bëhet seli e përhershme e BE-së në veri të Kosovës”, ka thënë Giffoni.
Diplomati italian ka nënvizuar se qëllimi i misionit të tij është që të eliminojë hendekun në komunikim ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, dhe gjetjen e problemeve të përditshme të pjesëtarëve të këtyre dy komuniteteve.
Ndarja e Kosovës, sipas Giffonit, nuk do të ishte zgjidhje dhe me këtë vetëm sa do të krijoheshin probleme të reja.
“Të gjithë pajtohemi rreth faktit se rajonit të Ballkanit Perëndimor i nevojitet stabiliteti gjatë integrimit të tij në BE dhe se ndarja nuk është zgjidhje”, ka deklaruar ai.