Larg skandinavëve

Futbollistët e Kombëtares shqiptare kanë përqendruar vëmendjen në kryeqytetin polak, Warsava, ku të dielën do të tërhiqet shorti për eliminatoret e Kampionatit Evropian 2012, i cili do të mbahet në Poloni dhe Ukrainë.
Mbrojtësi vushtrrias, Armend Dallku, shpreson që në grup mos t’i bjerë ndonjë përfaqësueses nga shtetet skandinave, pasi në përballje me këto skuadra Kombëtarja Shqiptare ka pasur bilanc negativ.
“Shqipëria ka bilanc negativ me kombëtaret e shteteve skandinave, si me Suedinë, Danimarkën, etj. Andaj ne shpresojmë t’iu shmangemi këtyre kombëtareve skandinave”, ka thënë Dallku, për Express të premten.
Mirëpo anëtari i klubit ukrainas, Vorskla Poltava, në grup preferon të ketë një përfaqësueses të madhe evropian, si kampionin aktual të botës Italinë, apo nënkampioni Francën.
“Shpresojmë të ballafaqohemi me kombëtare të famshme evropiane, si me Italinë Francën, etj. Nëse na bie me kombëtare të tilla, atëherë edhe tek ne futbollistët do të rritej jashtëzakonisht shumë motivi, dhe do të luanim dukshëm më mirë. Do të dëshironim të tregojmë se edhe ne dimë të aplikojmë futboll të mirë”, theksoi 26-vjeçari.
Ish-mbrojtësi i Kosovës së Vushtrrisë dhe Prishtinës shpreson që Kombëtarja Shqiptare të ketë fat në short dhe ta realizojë ëndrrën për kualifikim në një ngjarje të madhe sportive.
“Kur hedhet shorti, të gjitha kombëtaret kanë gjasa të barabarta për kualifikim. Unë shpresoj të kemi fat në hedhjen e shortit, në mënyrë që kundërshtarët të jenë të përballueshme për ne dhe ta realizojmë ëndrrën e kahershme, që Shqipëria të kualifikohet”, u shpreh Dallku.
Njëri ndër futbollistët më të mirë të Vorsklas dhe Shqipërisë, është optimist se kuqezinjtë do të ndërtojnë një ekip të mirë për eliminatoret e Kampionatit Evropian Polonia – Ukraina 2012.
“Kuze po punon mirë në Kombëtare. Ka një planprogram shumë të mirë. Ka ofruar në ekip lojtarë të rinj dhe ky është një hap i mirë i tij. Normalisht, edhe lojtarët më të vjetër i duhen ekipit, sepse pa ta nuk bënë, dhe kështu mendoj se do të kompozohet mirë ekipi kombëtar”, përfundoi Dallku.
Kombëtarja shqiptare për shortin e Euro 2012, ndodhet në vazon e pestë, së bashku me Malin e Zi, Estoninë, Gjeorgjinë, Moldavinë, Islandën, Armeninë, Kazakistanin dhe Lihtenshtajnin.