E Hënë, 2 Nëntor 2026

Emigracioni: Gati ngritja e azileve

14/12/2004  Shqipëria rrezikon të kthehet në një vend, ku do të grumbullohen të gjithë emigrantët që kalojnë tranzit në Shqipëri. Ndaj dhe është planifikuar që shumë shpejt të nisë puna për përgatitjen e azileve. Në strategjinë e miratuar prej Qeverisë, theksohet se marrëveshjet e ripranimit që janë nënshkruar prej vendit tonë, sanksionojnë se vendet, ku kapet një emigrant i paligjshëm, kanë të drejtë ta rikthejnë në vendin prej ku ka kaluar kufirin dhe pse nuk kanë shtetësinë e këtij vendi. Në këtë mënyrë, një person i vendeve aziatike, i cili ka kaluar për në Itali nëpërmjet Shqipërisë, rrezikon që të rivendoset në vendin tonë, pasi Italia nuk ka asnjë detyrim që t'i rikthejnë këta emigrantë te vendet e tyre të lindjes.

Ligji

"Rrezik është kurthi “i ripranimit” për shtetasit e vendeve të treta, të cilët rrezikohet të mbesin në Shqipëri, pasi, sipas marrëveshjeve të ripranimit, emigrantët e paligjshëm mund të rikthehen në vendin nga ku kanë kaluar tranzit", thuhet në strategjinë e Shqipërisë për migracionin. Për këtë arsye është kërkuar sigurimi i kufijve, për të mos lejuar kalimin e klandestinëve. Ndërsa do të nisë një projekt për ndryshimin e akteve nënligjore, për sistemimin e emigrantëve të paligjshëm sipas normave të Bashkimit Evropian. Në strategjinë kombëtare vlerësohet se "duhet planifikuar miratimi i akteve nënligjore mbi procedurën e dëbimit, ku përfshihet dhe ndalimi i të kthyerve".

Azilet

Shqipëria shumë shpejt do të vendosë ndërtimin e ambienteve ku do të vendosen emigrantët e paligjshëm. Kjo është parashikuar në strategjinë e emigracionit, ku sugjerohet "planifikimi i ndërtimit të ambienteve për mbajtjen e shtetasve të vendeve të treta në pritje të shpërnguljes". Në këtë mënyrë, për herë të parë në Shqipëri, është kërkuar përgatitja ligjore për ngritjen e azileve për emigrantët. Sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, azilantëve u lejohet dhe aplikimi për të punuar në Shqipëri, pasi t'i jenë nënshtruar një procesi regjistrimi. Vetëm dy vjet më parë është hedhur dhe ideja e ngritjes së një qendre rajonale për pritjen e emigrantëve të paligjshëm. Por, kjo ka dështuar, pasi përgjegjësitë mbi rikthimin e emigrantëve bien mbi shtetet pritëse apo dhe mbi shtetet të konsideruar si tranzit. Sipas konventës për rikthimin e emigrantëve të paligjshëm, shpenzimet e kësaj procedure përballohen nga shteti pritës.

Eksperienca

Deri më tani nuk ka rezultuar që klandestinët të vendosen në Shqipëri pas rikthimit të emigrantëve prej Greqisë, Italisë apo vendeve të tjera. Megjithatë, nëpërmjet ndikimit të ambasadave përkatëse dhe IOM, është bërë e mundur rikthimi në vendet e origjinës të 194 personave. Qeveria bën të ditur se nuk ka informacione mbi numrin e të kthyerve në vendet e tyre të origjinës jashtë programeve të mësipërme. Ndërsa është vlerësuar se me projektet kundër trafikut të qenieve njerëzore është arritur në bllokimin e konsiderimit të Shqipërisë vend tranzit për emigrantët, duke shmangur kështu dhe kurthin e ripranimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›