Nuk ka projekt për shqiptarët që përdorën shtetësi kosovare
14/12/2004 Prej Ministrisë së Punëve të Jashtme është vënë re se një pjesë e emigrantëve shqiptarë nuk rikthehen në Shqipëri, por në Kosovë. Kjo për vetë faktin se ata kanë përdorur këtë identitet në kohën e emigrimit. Në lidhje me këtë fakt, në strategjinë kombëtare për migracionin nuk është vënë re asnjë masë. "Në rastet e dëbimit prej disa shteteve të BE-së, të kthyerit nuk kthehen në Shqipëri, por në Kosovë, pasi kanë përdorur të tillë identitet", thuhet në strategjinë kombëtare. Burimet thanë se për këtë pikë nuk mund të bëhet asgjë, pasi janë organet e shtetit pritës, që vendosin si do të veprohet me këto raste. Madje, këta emigrantë rrezikojnë dhe penalitete për falsifikim të dokumentacioneve. Gjithsesi duket se shpresa e vetme do të jetë regjistrimi dhe kërkesa pranë ambasadave. Për këtë çështje do të kërkohet dhe asistencë ligjore, si për të njohur legjislacionin, ashtu dhe procedurat përkatëse. Ngatërresa për këtë pikë ka nisur në vitin 1999, gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Një pjesë e mirë e emigrantëve shqiptarë të paligjshëm kanë kaluar kufirin duke përdorur shtetësinë kosovare. Në momentin e mbërritjes në shtetin pritës, ata kanë përdorur këtë shtetësi, nga fakti se e drejta e azilit përfitohej dhe më shpejt, për shkak të gjendjes së luftës në Kosovë. Një veprim i tillë është konsideruar dhe një herë si njollë e zezë në Shqipëri.