E Diel, 1 Nëntor 2026

Ueda El Sayed, prezantuese e festivalit te RTSH

14/12/2004  Zbulohet sekreti i RTVSH

Ueda El Sajed, prezantuese e Festivalit

Ajo që është bërë huq të mbahet sekret deri në sekondën e fundit në Festivalin e Këngës së fundvitit në RTSH është prezantuesi.

Herë nga refuzimet, herë për arsye befasimi, edhe këtë vit po ndiqet e njëjta rrugë nga organizatorët. Por burime pranë RTSH-së nën zë, thonë se këtë vit do të jetë prezantuese e Festivalit, balerina Ueda El Sajed. Ky është emri më i mundshëm që mbahet ende sekret nga konfirmimi zyrtar, meqë janë dhe disa ditë deri në datën e hapjes së festivalit, më 16 dhjetor. Gjithsesi është intriguese përfolja e emrave përballë frikës që kanë organizatorët e festivalit, ku ky aspekt është kthyer gati në obsesion, sepse në skenat tona ende nuk po goditet me prezantuesit.

Deri para pak ditësh, emrat vërtiteshin tek të njëjtët prezantues që ishin dhe vjet. Adi Krasta dhe Ledina Çelo u pa se nuk mund të shkojnë aq mirë së bashku në skenë.

Adi, cinik dhe karizmatik, Ledina e dhënë të shkundet veç për muzikën, që të dy sollën anomali në paraqitje, ndryshe nga çfarë u mendua me entuziasëm prej organizatorëve. Këtë “dështim” e kanë pranuar dhe vetë drejtuesit organizativë të festivalit. Adi Krasta mbetet ende në krye të gjasave për të mbajtur në skenë festivalin.

Por këtë vit, duket se ideja për të rishfaqur portretin e Uedës në Festivalin e 43 të këngës në RTVSH, ka më shumë gjasa për sukses. Ueda disa herë ka shprehur dëshirën se kërkon të jetë e pranishme në skenë, jo vetëm duke kërcyer, apo spontanisht, duke plotësuar hobet e saj në këngë.

Zotërimi i skenës, siç mund të jetë në këtë rast prezantimi i festivlait për Uedën, ka qenë ndoshta një sfidë për të treguar veten si “show girl”.

Megjithëse vetë drejtori artistik i Festivalit, Gëzim Podgorica e ka pasur të vështirë të tregojë emrat më të mundshëm, të paktën ato që mund të jenë piketuar, kandidatura e Uedës, ndoshta do të jetë më e pranueshmja. E rrahur me skenën, e lirshme, që vjen nga një kulturë e spektakleve televizive të huaja, si ajo e Francës, i ka dhënë Uedës lirshmërinë e duhur për të patur akses për të mbajtur të gjallë vëmendjen e publikut në këtë festival. Sikur mos të ishin arsyet mjaft të forta, kjo pikë e dobët e spektakleve tona dhe, kryesisht e festivalit të fundivitit, si një nga evenimentet më të rëndësishme, nuk do t’u kushtonte kaq vëmendje kërkimit të vazhdueshëm të prezantuesit. Në këtë hallkë festivali shpesh ka humbur gjithë sharmin për arsye eksperiencash dhe mospasjes së aftësive televizive. Sidomos në skenën shqiptare, kjo vërehet për prezantueset femra.

Nga datat 16-18 dhjetor, në Pallatin e Kongreseve, pritet të mbahet një nga evenimentet më të qëndrueshme të këngës shqiptare. Ndryshe nga këto vitet e fundit, siç duket plotësimi i ëndrrës për të marrë pjesë në Festivalin Evropian, i ka yshtur këngëtarë e kompozitorë që t’i rikthehen skenës së këngës në televizionin publik.

Gëzim Podgorica, drejtori artistik i festivalit, ka konfirmuar për shtypin emrat e krijuesve si Valentin Veizi, Adi Hila (më i përfoluri në kohën kur ishte organizator artistik i festivalit), Spartik Tili, Avni Mula etj., që për disa vite patën lënë muzikën.

Nami që mori vjet ky festival për këngëtarët e rinj, ato të “Etheve...”, duket se dhe këtë vit do ruaj të njëjtin imazh, duke u bërë “zemërgjera” e të rinjve që sapo janë afirmuar nga një spektakël imponues. E vetmja siguri për ta ndjekur festivalin mbeten emrat e kompozitorëve që janë rikthyer pas një mungese të gjatë.

Ndërsa bëhet e ditur se në këtë edicion, për tri netë, do të konkurrojnë 30 këngë, ndërmjet të cilave edhe këtë vit juria e publikut do të zgjedhë këngën që do të përfaqësojë Shqipërinë për në Festivalin Evropian. Këtë vit për te kënga evropiane nuk do të ndiqet më ajo rruga e gjatë e konkurrimeve, e hedhjeve të parave sa qimet e kokës, sepse vjet Shqipëria, me këngëtaren Anjeza Shahini, fitoi vendin e shtatë, gjë që i dha të drejtën për të hyrë automatikisht në Festival.

Ata që pritet në përgjithësi të konkurrojnë sivjet, emrat e këngëtarëve lidhen më shumë me emra të rinj, ku do të konkurrojnë krahas Klajdi Musabelliut, Marsida Saraçit etj., do të jenë Mariza Ikonomi, Ledina Çelo etj.

V.Murati

Ruslana në Festival, tërhiqet Anjeza

Fituesja e Festivalit Evropian, këngëtarja ukrainase, Ruslana, pritet të jetë e ftuar speciale në skenën e këngës shqiptare, në festivalin e fundvitit, që organizohet nga RTVSH-ja. Por asgjë nuk jepet krejtësisht e vendosur deri tani, sipas organizatorëve të festivalit thuhet se janë në bisedime. Por konfirmimi i plotë pritet këto ditë. Ndërkohë nga konkurrimi në Festivalin e 43-të, Anjeza Shahini do të mbetet jashtë. Ajo nuk ka pranuar të këndojë, duke ruajtur ndoshta për të mos konsumuar aq portretin e saj prej fituese. Kjo është dhe një nga “sekretet” e këngëtares së re, që gjithnjë është shprehur se nuk do të konsumohet për shkak të karrierës së gjatë që ka përpara.

Vikena Kamenica, në “100 vjet Broadway”

Më 19 dhe 20 dhjetor, në sallën e Akademisë së Arteve do të organizohet e para shfaqje e plotë “musical” në Tiranë, ku protagoniste do të jenë Vikena Kamenica dhe tenori amerikan Justin Vickers. E krahas tyre, pjesë e kësaj shfaqje do të jenë dhe balerinët më të mirë të Teatrit të Operas dhe Baletit, të cilët kanë filluar prej ditësh provat për të përvetësuar gjithë koreografinë që do i duhet kësaj shfaqjeje.

Koreografia do të realizohet nga koreografi që vjen enkas për këtë projekt nga Amerika. Justin Sherwood vjen për herë të dytë në Tiranë, pas herës së parë si i ftuar për realizimin e shfaqjes “West side story” në Teatrin e Operas dhe Baletit. Në këtë shfaqje u bënë tok Vikena Kamenica dhe dy koreografë amerikanë, për të realizuar më 19 dhe 20 dhjetor “100 vjet Broadway”.

Një program i tërë që do t'i kushtohet "musical"-it, nën testin “100 vjet Broadway”, ku do të shfaqen momentet më interesante, të marra nga musical-ët më të njohur ndër vite. Ky është projekti më ambicioz i kompanisë "Musical”, që do të hapë kështu siparin për këtë lloj zhanri artistik, i cili nuk ka gjetur dot kurrë më parë hapësirën e duhur në skenën shqiptare. Të ndërthurësh baletin me këngën dhe aktrimin, në një vend ku nuk ekziston një shkollë e mirëfilltë që të prefeksionojë elementë që do t'i duhen një "musical"-i të vërtetë, është një sfidë e madhe, të cilën kjo kompani ka vendosur ta përballojë.

Në krye të kësaj sfide është sopranoja e mirënjohur Vikena Kamenica, e cila, pasi ka kapërcyer me shumë sukses eksperienca të ndryshme, në zhanre të ndryshme muzikore: nga muzika e lehtë te xhazi; nga muzika napoletane, franceze… tek ajo operistike, e së fundi, pasi fitoi statusin e protagonistes tek e para shfaqje “musical”, që u vu në skenat shqiptare tek “West side story” në Teatrin e Operas dhe Baletit, është e gatshme të përballet me këtë sfidë të madhe, ku do të jetë ajo protagonistja e të gjithë shfaqjes. Para se të jepej “West side story” në Teatrin e Operas dhe Baletit, Kamenica e kishte menduar prej kohësh realizimin e një musical-i në një prej skenave të Tiranës, por do t’i duhej pakëz kohë për të piketuar njerëzit me të cilët do të mund të niste projektin e ideuar. Dhe ja ku është tashmë, në krah të një koreografi amerikan, Jastin Sherwood, i cili në CV-në e tij ka të renditur një numër të madh shfaqjes “musical”, që ka realizuar në vende të ndryshme, në krah të një tenori amerikan Justin Vickers, që ka një eksperiencë shumëvjeçare si protagonist në shfaqje “musical”. (Ky tenor nuk vjen për herë të parë në Tiranë, pasi ka qenë dhe konkurrent në dy prej edicioneve të festivalit operistik “Marie Kraja”).

Re.ku

Pak histori për musical-in

Një histori që nuk njihet dhe aq këtu në Shqipëri, edhe pse në botë ka nisur të rrëfehet që në vitin 1893. Atëherë kur George Edwardes, ai që tashmë konsiderohet si pionieri dhe krijuesi i këtij lloj zhaneri, realizoi "musical comedi"-në e parë.

Një histori që në vitet '40 do të ndryshonte pas një revolucioni të madh artistik. Richard Rodger, duke bashkëpunuar me Oscar Hammerstain realizoi një produksion të tipit "Oklahoma!" (1943), "Carousel" (1945) dhe "South Pacifik" (1949), të cilat vinin ndryshe këtë herë. Brenda tyre do të gërshetoheshin mjaft mirë tragjikja me fantastiken. Aq sa nuk do të mund të quheshin më "musical comedy", por thjesht "musical".

Historia vijon me rrëfimin për veprat më të njohura që do të realizoheshin në Amerikën e pas viteve '40: "Kiss me kate", "Guys and Dolls", "My fair lady", "West side story", "The sound of musical"... për veprat më të njohura të viteve '60, që njihen tashmë si të famshmet "Camelot", "Hello Dolly" dhe "The Fiddler on the Roof"... për ndryshimet që ndodhën në vitet '70, kryesisht në Angli. Ndryshime këto që do të mbanin vulën e kompozitorit Andrew Lloyd Webber në musical të tillë si "Jessus Christ Superstar" (1971), "Evita" (1978), "Cats" (1981), "The phantom of the opera" (1986) dhe "Aspect of love". Ndaj dhe u cilësua si një reformator i madh i "musical"-it.

Një histori që, gjithsesi, nuk mbeti vetëm në Angli dhe Amerikë. Edhe Franca ka "musical"-ët e famshëm të saj, "Les Misèrables" (1980) dhe "Miss siagon" (1989).

Kjo është historia e panjohur në Shqipëri, ose thënë më saktë, e njohur nga një pakicë, që së shpejti do të rrëfehet në skenë. Pikërisht, duke sjellë për herë të parë disa prej këtyre "musical"-ëve si dëshmi të vërteta të asaj që ka ndodhur këtu e shumë vjet më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›