E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrant në Shqipëri? Rritet interesi i të huajve

01/02/2011  Procedura për të marrë lejen e punës. Tarifa zyrtare është 6 mijë lekë

Shqipëria gjithnjë e më atraktive për të investuar dhe punuar ka shtuar numrin e emigrantëve të huaj që janë pajisur me një leje pune. Numrat tregojnë shtim të të regjistruarve zyrtarë sidomos vitet e fundit, për shkak të rritjes së interesit të investitorëve të huaj për të zhvilluar aktivitet në vendin tonë. Gati 2 200 të huaj preferojnë të jetojnë në kryeqytetin e Shqipërisë, ose në qytetet e mëdha të vendit. Numri më i madh i të huajve që punojnë në Shqipëri është sektori i ndërtimit, me rreth 950 të tillë. Por edhe sektorët e tjerë janë të preferuar, si sektori arsimor, ai tregtar, i prodhimit dhe shërbimet. Tregtia dhe edukimi renditen në vend të dytë dhe të tretë për nga numri më i madh i të huajve në vend.

Interesi në rritje

Pavarësisht se numri i emigrantëve të huaj që punojnë në Shqipëri mbetet në shifra modeste vihet re një rritje nga viti në vit. Sipas statistikave zyrtare, që nga viti 2009 numri i tyre është rritur me 17 për qind. Për vitin 2010 janë dhënë 1 608 leje pune, ku nga Turqia janë 567 vetë, ose 35 për qind e totalit, kinezë 190 vetë, italianë 139, grekë 101 vetë. Shumica e atyre që janë punëmarrës, mbi 800 vetë, ku 259 vetë punojnë në sektorin e ndërtimit, në tregti dhe riparim automjetesh 228 vetë. Emigrantët nga Kina janë të vetëpunësuar, pasi ushtrojnë aktivitetin e tyre në tregti. Sa i përket kategorisë së elitës ajo përbëhet nga punonjësit në organizmat ndërkombëtare dhe shoqatat, konsulentët dhe menaxherët, apo administratorët e korporatave. Fluksi i emigrantëve është shtuar në bazë edhe të projekteve që zbatohen në Shqipëri. Kështu vetëm gjatë ndërtimit të rrugës Reshën-Kalimash janë dhënë 3 500 leje pune.

Shpërndarja

Zhvillimi i vendit ka sjellë të huaj të profesioneve të ndryshme të cilët ofrojnë eksperiencën e tyre dhe janë të punësuar edhe në poste drejtuese, si për shembull në banka apo kompanitë e telefonisë celulare. Për shkak të sektorëve ku janë të punësuar ata zhvillojnë edhe aktivitetin, dhe më të preferuara janë sektori i edukimit, ai tregtar, prodhimi, konfeksionet, sektori bankar, agjencitë turistike, media, shërbimi i telefonisë celulare, import-eksporti, apo edhe sporti. Të gjithë të huajt që duan të jetojnë dhe punojnë në Shqipëri duhet të pajisen me leje pune dhe më pas me leje qëndrimi. Drejtoria e Politikave të Migracionit është ajo që nxjerr vendimin për leje pune brenda 10 ditësh nga aplikimi. Tarifa zyrtare për lejen e punës është 6 mijë lekë. Dokumentet mund të ndryshojnë në varësi të aktivitetit të punës që ka qëllim të kryejë qytetari i huaj në Shqipëri.

Tabelë në mes të shkrimit

Autoriteti kompetent për lëshimin e lejes së punës është Drejtoria e Politikave të Migracionit pranë Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

Përjashtimi nga detyrimi i pajisjes me leje pune

1. Përjashtohen nga detyrimi për t’u pajisur me leje pune subjektet e mëposhtme:

a) konsulentë apo këshilltarë pranë institucioneve qendrore shtetërore;

b) misione asistence teknike, pranë institucioneve qendrore, nga organizata ndërkombëtare;

c) përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare me status diplomatik;

ç) i huaji, që gëzon privilegje dhe imunitete, diplomatike dhe konsullore, sipas së drejtës ndërkombëtare;

d) personeli i transportit ndërkufitar të mallrave dhe njerëzve, kur ato nuk qëndrojnë në territorin shqiptar më shumë se tre muaj dhe selitë e të cilave janë regjistruar jashtë vendit;

dh) i huaji, pjesëtar i forcave ushtarake apo i një njësie civile të një anëtari të NATO-s;

e) personi, që mban më shumë se një shtetësi, njëra prej të cilave është ajo shqiptare;

ë) përfaqësues të masmedias, reporterë apo korrespondentë të huaj, të akredituar në Republikën e Shqipërisë, që punojnë për një punëdhënës të huaj;

f) persona, që negociojnë për një marrëveshje apo përkujdesen për një pavijon në një panair, me kohëzgjatje deri në një muaj;

g) persona, që instalojnë makineritë apo konstruksionet, që dorëzohen nga një shoqëri e huaj dhe bëjnë shërbimin e riparimin e makinerive, si dhe trajnimin e punonjësve, shqiptarë ose të huaj, për shfrytëzimin e tyre, deri në një muaj;

gj) drejtuesit kryesorë të organizatave jofitimprurëse, të cilët nuk shpërblehen për punën e tyre;

h) përfaqësues të institucioneve apo fondacioneve fetare dhe humanitare, të njohura dhe të regjistruara në organet përgjegjëse të shtetit shqiptar, të cilët nuk shpërblehen për punën e tyre;

i) pjesëtarë të ekuipazheve të anijeve apo të avionëve, me qëndrim të përkohshëm deri në tre muaj në Republikën e Shqipërisë;

j) vizitorë biznesi, që qëndrojnë më pak se një muaj në Republikën e Shqipërisë;

k) lektorë, studiues apo specialistë të huaj, që vijnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe qeveritare apo të vetë institucioneve arsimore.

Dokumentet e aplikimit për marrjen e lejes së punës:

1. Kërkesë personale me të dhënat si në formularin standard të aplikimit të plotësuar;

2. Vendimi i gjykatës për regjistrimin e punëdhënësit si person juridik ose ekstrakt lëshuar nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit;

3. Kontrata individuale e punës;

4. Kopje të pasaportës së shtetasit të huaj;

5. Pesë (5) foto;

Drejtoria e Politikave të Migracionit do të nxjerrë vendimin për leje pune brenda 10 ditë pune nga data e paraqitjes së dokumentacionit. Tarifa zyrtare për lejen e punës është 6.000 lekë. Dokumentet e mësipërme mund të ndryshojnë në varësi të aktivitetit të punës që ka qëllim të kryejë qytetari i huaj në Republikën e Shqipërisë. Pasi i huaji merr lejen e punës, duhet të aplikojë për lejen e qëndrimit.

Punësimi i të huajve në Shqipëri

Aktiviteti Numri Aktiviteti Numri

Edukim 294 Mjekësi 22

Ndërtim 946 Prodhim 102

Tregti 307 Konfeksione 21

Banka 24 Agjenci turistike 19

Media 25 Transport 52

Shërbimet 49 Bar-Restorant 11

Punonjës shërbimi 35 Kazino 16

Laborant 13 Telekom 63

Shtëpi botuese 16 Import-eksport 16

Pastiçeri 14 Teknologji 20

Sport 4 Studio 8

Peshkim 13 Hoteleri 19

Metalurgji 17 Energji 9

Totali 2135

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›