E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, projekt për vendosjen e 2 linjave autobusësh

01/02/2011  Ku do vendosen dhe çfarë oraresh

SHKODER- Qyteti i Shkodrës do të ketë shumë edhe dy linja të shërbimit urban. Ky fakt bëhet i ditur nga drejtuesit e Bashkisë së Shkodrës, të cilët e shohin tashmë shtimin e këtij shërbimi të lidhur me investimet e shumta që janë kryer në infrastrukturën e qytetit. Aktualisht specialistët e kësaj bashkie kanë përfunduar studimin e projektit paraprak, i cili parashikon që krahas linjës së shërbimit urban që përshkon gjithë gjatësinë e qytetit duke kaluar mes përmes tij, nga ish-Fermentimi në lagjen “Bahçallek”, dhe linjës nga qendra e qytetit në Shirokë dhe Zogaj, të futen dhe dy linja të tjera. Njëra linjë parashikon zgjerimin e shërbimit urban në unazën e re të qytetit, tek pjesa që ka përfunduar, ndërsa linja tjetër do të funksionojë nga lagja “Kiras” deri tek “Stacioni i trenit”. Linja e dytë, që pritet të futet në funksionim dhe e njohur si linja e “Stacionit të trenit”, ka qenë në shërbim të qytetarëve edhe para vitit 1990, por nuk kryente funksionin e duhur për shkak të mungesës së infrastrukturës së duhur. Me ndërhyrjet dhe investimet e mëdha në infrastrukturë, tashmë kjo linjë do të ndihmojë shumë qytetarë, jo vetëm për të lëvizur nëpër qytet, por edhe për të shkuar në “Stacionin e trenit”. Linja e shërbimit urban të Unazës parashikohet të jetë 8 kilometër e gjatë dhe do të ketë 23 ndalesa. Kjo linjë do të këtë katër autobusë të shërbimit urban,nga dy në secilin sens qarkullimi. Ndërsa linja tjetër Kiras-Stacioni i trenit, me gjatësi 8 kilometër, do të këtë shërbimin e dy autobusëve. Kjo linjë do të ofrojë shërbimin urban çdo 30 minuta, nga ora 07:00 deri në orën 14:00. Ndërkohë linja do të funksionojë dhe në oraret e lëvizjes së trenave. Për vënien në punë të këtyre linjave pritet miratimi përfundimtar për të filluar procedurat e konkurrimit. Futja e shërbimit të këtyre dy linjave do të ndikojë jo vetëm për të mbuluar shumicën e territorit të qytetit të Shkodrës, por edhe për të lehtësuar linjën ekzistuese qendrore Bahçallëk-ish Fermentim, të gjatë 16 kilometër. Ndërkohë në këtë linjë është menduar që të futen në shërbim 12 autobusë, që do lëvizin me dy turne nga ora 06:00 deri në orën 20:00. Për të mos lënë për asnjë rast qytetarët pa shërbim, në turnin e parë do të jenë 7 autobusë urbanë, prej të cilëve 5 do lëvizin dhe dy do jenë rezervë në rast të ndonjë avarie. Secili autobus do të realizojë 6 cikle lëvizjeje. Në turnin e dytë do të jenë 5 autobusë, ku 4 do të jenë në punë dhe 1 do të jetë rezervë. Çdo autobus do të realizojë 4 cikle. Ndërsa tek linja tjetër ekzistuese Qendër qyteti-Shirokë-Zogaj dhe kthim, që ka një gjatësi prej 26 kilometër, do të vazhdojë të punojë çdo ditë një autobus dhe oraret e caktuara nga vetë komuniteti që janë 06:30;07:30; 11:30 dhe 14:30. Ndërkohë është dhe një orar vetëm për transportin e nxënësve që lëvizin nga zona turistike Shirokë –Zogaj për të ndjekur mësimet në shkollat e qendrës së qytetit. V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›