E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët, aplikim për pasaporta edhe në fundjavë

Qendrat e aplikimit për karta identiteti dhe pasaporta biometrike do punojnë me orar të zgjatur edhe në fundjavë.

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, tha dje gjatë një interviste për radion "Dojçe Vele" se institucioni i tij i ka kërkuar kompanisë koncesionare franceze "Aleat", që merret me prodhimin e dokumenteve të reja të identifikimit, që të mbajë hapur zyrat e aplikimit më shumë se orari i zakonshëm. "Oraret janë zgjatur dhe në qendra të caktuara ku fluksi është i madh, do të fillojë operimi duke nisur nga kjo fundjavë edhe të shtunave e të dielave, që shpresojmë se do të ndihmojë në përballimin e fluksit të jashtëzakonshëm që përjetojnë këto zyra në sezonin veror, për shkak të ardhjes së një numri shumë të madh të bashkëqytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit", u shpreh Basha. Ministri i Brendshëm shpjegon se ideja që aplikimet nga emigrantët të bëhen në vendet ku ata jetojnë e punojnë është duke u materializuar. "Në një perspektivë afatmesme ka përfunduar një marrëveshje mes Ministrisë së Brendshme dhe kompanisë koncesionare për hapjen e zyrave të aplikimit për pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit në Romë, Milano, Athinë e Selanik. Ndërkohë që është lënë hapur mundësia për të shqyrtuar hapjen e këtyre zyrave edhe në poste të tjera konsullore të vendeve të BE-së". Marrëveshja sipas ministrit është miratuar nga Qeveria dhe pritet të diskutohet e të miratohet përfundimisht në Parlament në sezonin e ri të vjeshtës. Pas votimit në Parlament dhe botimit të saj në Fletoren Zyrtare, gjithçka do të nisë nga funksionimi, "për t'ju ardhur në ndihmë bashkëqytetarëve që qëndrojnë në ato vende".
Kushtet
Pajisja e qytetarëve me dokumente të reja identifikimi hyn tek kushtet e plotësuara nga Shqipëria për të përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e saj që udhëtojnë për në zonën Shengen të BE-së. Ministri Lulzim Basha deklaroi për Dë se nga autoritetet është bërë një punë e jashtëzakonshme për plotësimin e kushteve të mbetura nga udhërrëfyesi i procesit të liberalizmit të vizave. "Kanë sjellë rezultate të dukshme, rezultate të prekshme dhe të konstatuara qartë nga partnerët tanë, në veçanti nga Komisioni Europian dhe ekspertët e tij. Natyrisht janë këta ekspertë dhe Komisioni që do të thonë fjalën e fundit", u shpreh Basha për Dë. Ministri shprehu bindjen se në ato aspekte të mbetura, si riintegrimi i të riatdhesuarve, forcimi i kapaciteteve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në identifikimin e aseteve kriminale, Shqipëria ka ndërmarrë hapa të mëdhenj përpara. Ai iu referua hartimit të një kuadri ligjor të domosdoshëm, duke formuluar plane veprimi konkrete, si dhe duke u dhënë të gjitha institucioneve instrumentet e nevojshme financiare, njerëzore e materiale në zbatim të këtij kuadri ligjor.
Orari
Pas kërkesës së Ministrisë së Brendshme se duhet përballuar fluksi i emigrantëve që aplikojnë për karta e pasaporta biometrike, erdhi dje edhe reagimi i kompanisë koncesionare "Aleat", e cila njofton se do të zgjatet orari i aplikimeve nga 08:00 deri në 19:00. "Aleat" njofton se në të gjithë vendin rreth 77 zyra ku aplikohet për karta e pasaporta biometrike do të punohet me orar të zgjatur, me qëllim përballimin e fluksit të aplikuesve. Po ashtu në të gjithë vendin edhe 21 zyrat e shpërndarjes do të punojnë me orare të zgjatura. Sipas njoftimit të kompanisë "Aelat", për të gjithë personat që duan të aplikojë edhe në fundjavë, të shtunën apo të dielën, do të jenë hapur të gjitha zyrat përkatëse. Masat për orare të zgjatura deri në fundjavë vijnë pas fluksit të madh të emigrantëve në muajin gusht. Deri ditën e djeshme datë 04.08.2010 kanë aplikuar për pasaportë biometrike mbi 880 mijë shtetas dhe janë prodhuar mbi 840 mijë pasaporta biometrike.
Radhët
"Dojçe Vele" në reportazhin e vet lidhur me procesin e pajisjes së qytetarëve me pasaporta dhe karta identiteti vëren radhë të mëdha dhe ngadalësi në këtë proces. Të gjithë emigrantët që aplikojnë ose tërheqin dokumentet e identifikimit kanë dëshirë që të mbarojnë punë sa më shpejt, në mënyrë që të vijojnë pushimet dhe kontaktet me njerëzit e tyre të afërt e miqtë. Por procesi në një muaj si gushti kur është dhe piku i mbërritjes së emigrantëve i vështirëson gjërat. E njëjta skenë me radhë aplikantësh është dhe në disa qendra të tjera të kryeqytetit, apo në qytetet kryesore të vendit. Namiku, një banor i njësisë nr.7 dhe që jeton prej 15 viteve në Itali, duket i nervozuar duke qëndruar në radhë. "Këtu të duhet të vish të mbash radhë edhe për ta tërhequr kartën. Ja tani që kam ardhur jam i 17-i. Kaq mbarojnë të paktën deri nga ora 2 ose 3 pasdite. Sepse një person shërben atje brenda, çfarë mund të bëjë ai më parë", u shpreh qytetari i njësisë nr.7. Namiku thotë se nuk do të ishte keq që ky shërbim për emigrantët që jetojnë e punojnë me dokumente të rregullta në Itali, Greqi a shtete të tjera evropiane të mund të bëhet direkt atje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›