E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditë e këqija arrijnë në 12 për qind

Niveli i kredive të këqija ka arritur në 12 për qind në fund të 6-mujorit të parë të këtij viti. Sipas statistikave në Bankës së Shqipërisë, rritja e kredive të këqija ka ardhur si rezultat i shtimit të kredive të humbura dhe të dyshimta.

Sidoqoftë, të dhënat tregojnë se huat standarde, pra ato që paguhen rregullisht janë rritur në përqindje. Edhe pse paradoksale, kjo shifër është 81.5 për qind, nga 81.1 që ishte një tremujor më parë. Duket sikur bankat i kanë ndarë përfundimisht klientët e kredive. Rritja e kredive standarde dhe e kredive të këqija, ka ardhur si pasojë e uljes së kredive në ndjekje. Megjithatë, kujdesi i bankave shikohet qartë nga mbulimi me provigjone. Sipas statistikave, në fund të 6-mujorit, mbulimi me provigjone ka arritur në 7.3 për qind, nga 6.9 që ishte një tremujor më parë. Sa më shumë para të "mbyllen" për provigjone, aq më pak ngelin për kredidhënie. Në total, shpenzimet për provigjonet në tremujorin e fundit kanë arritur në 5.8 miliardë lekë nga 3 miliardë që ishin më parë. Nga ana tjetër, sipas sondazhit të fundit të Bankës së Shqipërisë, bankat i kanë përkeqësuar kushtet e kredidhënies. Sipas sondazhit, janë përmirësuar vetëm kushtet në rritjen e afatit të kredisë. Bankat kanë rritur kolateralin për dhënien e kredive dhe nuk kanë dhënë kredi për investime.
Fitimet e bankave
Bankat duket se kanë një bilanc më pozitiv gjatë tremujorit të fundit. Statistikat tregojnë se të ardhurat nga interesat në 6-mujorin e parë të vitit kanë arritur në 33 miliardë lekë, ndërkohë që shpenzimet për interesa janë vetëm 15 miliardë. Duke bërë që të ardhurat neto, vetëm nga interesat të jenë rreth 18 miliardë lekë për 6-mujorin e parë. Sipas Banës së Shqipërisë, të ardhurat neto të sistemit bankar, pas zbritjes së tatimit mbi të ardhurat, kanë arritur në 3.6 miliardë lekë, shumë më të larta se sa 659 milionë lekë që ishin në të njëjtën kohë një vit më parë. Por, pse ka ardhur ky fitim i bankave? E thjeshtë, rritje e depozitave, rritje e pagesa të interesave të kredive dhe ulje e kreditimit. Bankat po punojnë të sigurta, pa risqe të mëdha, edhe pse janë individët dhe bizneset janë ato që vuajnë pasojat.
Banka e Shqipërisë në fund të çdo tremujori kryen një sondazh me ekspertët e bankave për kushtet e kreditimit dhe parashikimin e tij në të ardhmen. Sipas sondazhit të fundit, tregohet qartë se bankat e kanë shtrënguar edhe më shumë dorën për dhënien e kredive gjatë pjesës së parë të vitit. Lajmi i mirë është që pritet që të japin më shumë kredi gjatë pjesës tjetër të vitit.
Rezultatet e sondazhit
"Bankat kanë shtrënguar standardet e kreditimit për kredinë e bizneseve në tremujorin e dytë të vitit 2010. Shtrëngimi i standardeve është regjistruar vetëm për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Standardet janë shtrënguar në një shkallë më të lartë për kredinë për qëllime investimi se sa për nevoja të kapitalit qarkullues. Problemet specifike të sektorit ku operon biznesi, situata makroekonomike, gjendja e kredive me probleme dhe gjendja financiare e individëve mbeten faktorët kryesorë me ndikim në kahun shtrëngues të standardeve të kredisë. Bazuar në opinionet e ekspertëve të bankave, kërkesa e ndërmarrjeve të vogla e të mesme dhe kërkesa e individëve për kredi për konsum janë rritur, ndërsa kërkesa e korporatave dhe e individëve për blerje banese është ulur. Për tremujorin e tretë të vitit 2010, bankat presin lehtësim të standardeve si për bizneset, ashtu edhe për individët".
Kredia për biznese
Bazuar në të dhënat e vrojtimit për tremujorin e dytë të vitit 2010, bankat kanë forcuar standardet e aplikuara për kredinë dhënë bizneseve. Shtrëngimi i standardeve është aplikuar vetëm për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ndërkohë, bankat kanë vijuar të lehtësojnë disi standardet për korporatat, por në një masë më të ulët se në tremujorin e parë të vitit 2010. Ekspertët e bankave kanë vlerësuar në kahun shtrëngues standardet e aplikuara për kredinë, për qëllime investimi dhe për financimin e kapitalit qarkullues. Faktorët me kontributin kryesor në shtrëngimin e standardeve gjatë tremujorit të dytë të vitit 2010 janë problemet specifike të sektorit ku zhvillon aktivitetin e tij biznesi, gjendja e kredive me probleme dhe situata makroekonomike. Politika shtrënguese e bankave gjatë tremujorit të dytë të vitit 2010 është realizuar kryesisht nëpërmjet rritjes së marzheve për kreditë me rrezik më të lartë dhe rritjes së kërkesës për kolateral. Rritja e madhësisë së kredisë së miratuar si dhe zgjatja e maturitetit maksimal i shlyerjes së kredisë kanë shërbyer për zbatimin e një politike më lehtësuese kreditimi. Bazuar në opinionin e ekspertëve të bankave, kërkesa e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për të marrë kredi është rritur, ndërsa kërkesa e korporatave është ulur disi në tremujorin e dytë të vitit 2010. Faktori me kontributin kryesor në nxitjen e kërkesës për kredi vijon të mbetet edhe për këtë tremujor nevoja për financimin e kapitalit qarkullues. Nga ana tjetër, në tremujorin aktual është rritur balanca e faktorit "financimi i investimeve".
Kredia për individë
Në vrojtimin e tremujorit të dytë të vitit 2010, ekspertët e bankave shprehen për një lehtësim të standardeve për kreditë dhënë individëve krahasuar me një tremujor më parë. Standardet e kredidhënies u lehtësuan si për kredinë konsumatore, ashtu edhe për atë për blerje banese. Në përgjithësi, të gjithë faktorët e konsideruar kanë ulur kontributin në shtrëngimin e standardeve të kredisë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2010. Konkurrenca në sistemin bankar dhe përmirësimi i gjendjes së likuiditetit ndikuan në kahun lehtësues të standardeve për kreditë dhënë individëve. Gjendja financiare e individëve si dhe situata e kredive me probleme, vijojnë të jenë edhe gjatë këtij tremujori faktorët me ndikim më të madh në shtrëngimin e standardeve të kredisë. Bankat kanë lehtësuar standardet e kreditimit gjatë tremujorit të dytë të vitit 2010, kryesisht nëpërmjet uljes së komisioneve, si dhe rritjes së maturitetit maksimal të kredisë. Rritja e kërkesës për kolateral në raport me madhësinë e kredisë vijoi të japë një kontribut të konsiderueshëm për zbatimin e politikës më konservatore të kreditimit. Marzhi i aplikuar për kreditë me rrezik vijon të kontribuojë në kahun shtrëngues të standardeve, edhe pse në një nivel më të ulët krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Në ndryshim me pritjet e ekspertëve të bankave për kërkesën në tremujorin e dytë të vitit, kërkesa e individëve për kredi vlerësohet e ulët. Kthimi në vlerë negative i balancës neto të kërkesës për kredi u ndikua kryesisht nga rënia e kërkesës për kredi për blerje banesë. Kërkesa për kredi konsumatore vijon të jetë pozitive, edhe pse në një nivel më të ulët se një tremujor më parë. Sipas opinionit të ekspertëve të bankave, rënia e kërkesës është nxitur edhe nga përkeqësimi i besimit konsumator, zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme, si dhe perceptimi për shtrëngim të kushteve të kreditimit të aplikuara nga bankat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›