Sezoni në Sarandë, pushuesit 60 ankesa në ditë
SARANDE - Zhurmat, grindjet, aksidentet, dhuna në familje janë problematikat kryesore, që përcillen si ankesa për zgjidhje në policinë e Sarandës, nëpërmjet 129-ës. Në sallën operative, dinamika e punës në këtë kulm sezoni, sa i përket gatishmërisë për t'iu përgjigjur telefonatave të qytetarëve, është evidente. Sipas të dhënave, gama e shqetësimeve që kanë qytetarët, është e shumëllojshme. Rreth 50-60 telefonata në ditë nga qytetarë të ndryshëm, por edhe pushues, kërkojnë nëpërmjet 129-ës, zgjidhje për problemet që ata kanë. Sipas shefit të Policisë së Rendit në Sarandë, kryekomisar Besim Palamani, shqetësimet që vijnë nga qytetarët, por edhe nga pushues që janë aktualisht në qytet janë të ndryshme, si: grindje, në disa raste dhunë në familje, njoftime për rënie zjarri, duke mos anashkaluar edhe zhurmat që vijnë jo në pak raste nga lokalet e natës. "Përpjekja e policisë është maksimale, për t`iu përgjigjur në kohë qytetarëve dhe për të zgjidhur problemet e sjella prej tyre", u shpreh kryekomisar Palamani. Sipas tij, kjo situatë është sa e vështirë, aq dhe optimiste për uniformat blu. E vështirë për shkak të punës së madhe impenjative përgjatë sezonit dhe optimiste për shkak të besueshmërisë në rritje që kanë qytetarët e këtij rrethi, ndaj uniformave blu të Sarandës. Edhe në Policinë Bashkiake në Sarandë, gama e shqetësimeve që vjen nëpërmjet telefonatave të qytetarëve është e larmishme dhe e ngjashme me atë që ballafaqohet edhe Policia e Rendit. Shqetësime në plazh, zhurmat në qytet, bllokimet në shumë raste në qarkullimin rrugor, që vjen nga rritja e numrit të mjeteve të pushuesve, ndotja akustike në orët e natës, shitja e prodhimeve të detit nëpër rrugë, janë problematikat që hasen pothuajse çdo ditë nga kjo polici dhe që kërkojnë zgjidhje nëpërmjet saj. Kjo ritmikë pune, 24 në 24, sipas shefit të Policisë Bashkiake të Sarandës, Remzi Bani, është e përditshme. "Gjithë shqetësimet e ardhura përmes linjës telefonike, por në shumë raste edhe drejtpërdrejt nga qytetarët, përpiqemi t'i zgjidhim në favor të realitetit", - u shpreh Bani. Ai u bëri apel qytetarëve të bëjnë çmos që të lenë makinat dhe të ecin me këmbë, brenda në qytet. Në këtë sezon, rreth 20 mijë mjete qarkullojnë në ditë. sh.d