Emigrantët do të votojnë për herë të parë në 2009-ën
Në zgjedhjet e ardhshme emigrantët shqiptarë do të kenë një mundësi për të votuar. Komisioni i Reformës Zgjedhore ka diskutuar dje me dyer të mbyllura në lidhje me projektin në fjalë. Palët kanë rënë dakord që për emigrantët të jepet mundësia, kur në të gjitha vitet e tranzicionit u ka munguar teknikisht e drejta për të pasur të drejtën për t’u zgjedhur apo për të zgjedhur. Ajo që është rënë dakord dje, është se do të ngrihet një institucion i veçantë, i cili mund të quhet Komisioni i Zgjedhjeve për Emigrantët, i cili do të bëjë të gjithë menaxhimin. Emigrantët do të kenë mundësi të votojnë me postë dhe mjafton të vërtetojnë identitetin e tyre si dhe të kenë një adresë të saktë kudo që ndodhen në botë. Përgjegjësia e vetme në këtë rast do të jetë e vetë emigrantëve shqiptarë, të cilët duhet të shfaqin interes për t’u bërë pjesë e procesit. Emigrantët duhet të regjistrohen paraprakisht për të dhënë saktë identitetin e tyre si dhe adresën ku jetojnë. Në këtë moment, institucioni përkatës, i cili do të merret me menaxhimin e procesit për votën e emigrantit, do të ketë një bashkëpunim me një kompani postare, e cila mund të bëjë dërgimin e votës. Përzgjedhja e kompanisë postare, shqiptare ose e huaj, duhet të garantojë dërgimin e zarfit të mbyllur me fletën e votimit tek adresa e saktë, verifikimin e identitetit të emigrantit, si dhe të tërheqë përsëri në Shqipëri zarfin e mbyllur me votën përkatëse. Palët, kryesisht PD-ja dhe PS-ja, kanë rënë dakord në lidhje me projektin. Ditën e djeshme ka qenë i ftuar edhe drejtuesi i G99-ës, Erion Veliaj, i cili ka shpjeguar disa detaje, në lidhje me propozimin e tij. Veliaj bëri të ditur se aktualisht i gjithë procesi mund të ketë një kosto prej 20 milionë eurosh. “Sistemi që kemi propozuar, është i saktë dhe transparent dhe parashikon formën e votimit me postë. Barra e identifikimit në këtë rast u bie qytetarëve shqiptarë, që jetojnë jashtë atdheut, pasi janë ata të parët që duhet të shprehin interesin e tyre, të regjistrohen, të japin mjetet e tyre të identifikimit, si dhe adresën”, - tha Veliaj. Projekti përmban vështirësi duke ditur edhe afatin kohor. Nga zgjedhjet na ndajnë vetëm 9 muaj, ndërkohë që duhet ngritur nga e para një infrastrukturë e re zgjedhore për emigrantët që nga krijimi i Komisionit të Zgjedhjeve për Emigrantët, kontraktimin e kompanisë së postës, gjetjen e kostos reale, si dhe gjetjen e mënyrës së identifikimit të saktë të emigrantëve që jetojnë jashtë. Krahas shoqërisë civile që e kanë kërkuar mundësinë e votës për emigrantët, kudo që jetojnë, edhe mjaft parti politike e kanë kërkuar me ngulm një gjë të tillë. Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar prej kohësh miratimin e projektit që do të bënte të mundur realizimin teknik të votës së emigrantëve. Aktualisht, emigrantët mund të votojnë vetëm në rast se vijnë në Shqipëri ditën e zgjedhjeve ose mund të votojnë pranë ambasadave shqiptare në botë. Kjo infrastrukturë e parë ka bërë që vëmendja e emigrantëve të jetë e pakët për të shprehur të drejtën e tyre, votën.
Ndryshimet e deritanishme në Kodin Zgjedhor
Çështjet e miratuara deri tani nga Komisioni i Reformës Zgjedhore janë parimet e përgjithshme dhe struktura e Kodit Zgjedhor, listat e zgjedhësve dhe mënyra e hartimit të tyre, periudha zgjedhore dhe mënyra e caktimit të datës së zgjedhjeve, materialet zgjedhore dhe fletët e votimit dhe shpërndarja e tyre, caktimi i QV-ve dhe i komisioneve të nivelit të dytë të administrimit të zgjedhjeve dhe procedura e votimit. Komisioni i reformës ka vendosur që në vitin 2009, listat e mbyllura për deputetë duhet të kenë minimalisht 30 për qind gra. Njëkohësisht, është vendosur që të përdoret koalicioni i përbërë. Ky koalicion mund të quhet ndryshe, bashkim mes partish, por që secila ka forcën dhe përfaqësimin e saj. Në vitin 2009 sistemi do të jetë proporcional rajonal. Pra, do të ketë 12 zona zgjedhore, secila do të nxjerrë një numër të caktuar deputetësh, në varësi të numrit të popullsisë. Vota do të ndahet me anë të formulës matematikore të D’Hondit. Në fletën e votimit do të shënohet koalicioni dhe brenda tij do të shënohen të gjithë emrat e partive përbërëse të koalicionit. Çdo zgjedhës vendos shenjën për partinë që do. Për sa i përket administrimit, po shqyrtohen disa praktika ndërkombëtare të sistemeve të ngjashme zgjedhore, si dhe rekomandimet specifike për Shqipërinë. Administrata e re zgjedhore synohet të jetë më e vogël në numër, më e qartë dhe e kufizuar në kompetenca dhe më pak e politizuar në vendimmarrje.
PDK: Të votojnë edhe emigrantët
Demokristianët këmbëngulin për votimin e emigrantëve shqiptarë pranë konsullatave respektive në zgjedhjet e 2009-ës. Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokristiane, Kolë Tonaj, gjatë një konference për shtyp u shpreh dje se ''ka ardhur koha të mundësojmë votimin për shqiptarët jashtë atdheut, të cilët llogariten në shifrat mbi një milion, që deri tani nuk kanë pasur mundësi të vendosin për fatet e vendit''. Tonaj theksoi më tej se ''në këtë kohë zhvillimesh të rëndësishme politike në Shqipëri, në raport me influencën që ata mund të kenë mbi politikën shqiptare, është momenti i duhur për ta adresuar këtë çështje në kuadrin e bërjes së Kodit të ri Zgjedhor.