E Diel, 1 Nëntor 2026

Kunati i Bashës: Nuk kam asnjë lidhje me Fazlliçin



Kunati i ministrit Basha, z. Erion Isufi, hedh poshtë çdo lloj lidhjeje me biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazlliç. Përmes një deklarate me shkrim, z. Isufi informoi publikun se nuk ka ushtruar asnjë aktivitet me z. Fazlliç dhe nuk ka qenë ortak me të. Kunati i Bashës pranon se ka qenë i punësuar si administrator pranë kompanisë SRF Developments, e cila sipas Isufit, nuk ka kryer asnjë aktivitet ekonomik gjatë kohës që ai ka ushtruar këtë detyrë. Sipas tij, të gjitha këto mund të vërtetohen nga organet përkatëse. “Unë nuk kam ushtruar asnjë aktivitet ekonomik të përbashkët me z. Fazlliç dhe nuk kam qenë asnjëherë partner ose ortak me z. Fazlliç. Kam qenë i punësuar si administrator pranë kompanisë SRF Developments, e cila nuk ka kryer asnjë aktivitet ekonomik gjatë kohës që unë kam ushtruar këtë detyrë”, - tha z. Isufi. Kunati i ministrit të Punëve të Jashtme sqaroi më tej se “dy kompanitë e tjera, Virtu Acquisitions dhe Crown Acquisitions, nuk janë bërë asnjëherë aktive dhe nuk kanë kryer asnjë aktivitet ekonomik gjatë kohës që unë kam qenë administrator”. Isufi pohoi se “nga pozicioni i administratorit kam dhënë dorëheqjen e parevokueshme përkatësisht më 30 dhjetor 2006, për Virtu Acquisitions dhe Crown Acquisitions, dhe në 20 mars të vitit 2007 për kompaninë SRF Developments”.

“Të gjitha këto janë lehtësisht të vërtetueshme dhe verifikueshme nga organet përkatëse. Dua ta përfundoj, duke shprehur bindjen se besoj tek e vërteta më shumë sesa tek balta që hidhet mbi mua dhe kërkoj që mediat që kanë përhapur këtë gënjeshtër dhe shpifje. ta përgënjeshtrojnë atë”, - tha z. Erion Isufi. Para dy ditëve edhe ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, përgënjeshtroi të gjitha akuzat e opozitës dhe mediave që ajo kontrollon për lidhje me biznesmenin Fazlliç. Basha deklaroi në sallën e Kuvendit se as ai dhe as ndonjë familjar i tij nuk ka ndonjë biznes të përbashkët me këtë person. Lulzim Basha shprehu bindjen e plotë se gjatë kohës që ai ka qenë ministër i Transporteve, ky person nuk ka përfituar nga fondet publike të shtetit. “Le të regjistrohet se nga kjo foltore unë deklaroj sot me përgjegjësi të plotë se z. Fazlliç nuk ka marrë dhe as përfituar asnjë qindarkë nga fondet dhe asetet publike gjatë drejtimit tim të ministrive përkatëse. Po kështu, pa paragjykuar aspak të drejtën e çdokujt për të zhvilluar lirinë e ndërmarrjes ekonomike në Shqipëri, deklaroj se midis z. Fazlliç dhe meje apo familjarëve të mi nuk është zhvilluar kurrë asnjë biznes i përbashkët dhe asnjë aktivitet ekonomik”, - deklaroi z. Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›