Ruçi: Berisha të publikojë dosjet tona
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, i kërkoi dje Kryeministrit Berisha që të publikojë të gjitha dosjet korruptive në të cilat janë përfshirë figura të opozitës së sotme. Ruçi tha se Kryeministri po ushtron presion ndaj opozitës përmes këtyre dosjeve që ai përmend. “Duhet të marrë fund njëherë e mirë ky mjet shantazhi që i bën pis të gjithë, ndaj i themi Sali Berishës: “Zbrazi dollapët e fshehtë nga të gjitha dosjet tona nëse ke, por mos harro që t’u përgjigjesh shqiptarëve për pyetjet që t’u drejtuan këtu”, - tha Ruçi. Njëkohësisht, sipas kreut të Asamblesë, është edhe ligjërisht e dënueshme mbajtja si mjet shantazhi e këtyre dosjeve, që edhe nëse ekzistojnë, duhet të jenë në zyrat e prokurorisë dhe jo në dollapin e fshehtë të Sali Berishës. Dy ditë më parë Kryeministri Berisha deklaroi në Kuvend se figura të opozitës janë përfshirë në afera korruptive. Kjo ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të PS-së.