Emigrantët e ligjshëm lënë Greqinë, mbeten ilegalët
Rritja e numrit të emigrantëve të ligjshëm që po kthehen ose do të kthehen në vendet e tyre të origjinës ka sjellë shqetësim të madh në Greqi edhe për sa u përket kontributeve të skemës së sigurimeve shoqërore. Këto të fundit kanë rënë ndjeshëm, fenomen që sa vjen dhe po thellohet pas krizës ekonomike që ka përfshirë Greqinë muajt e fundit. Në këtë mënyrë, të ardhurat në Zyrën e Sigurimeve Shoqërore (IKA) janë në rënie, për shkak se emigrantët e ligjshëm ishin ata që paguanin të gjitha detyrimet që kishin ndaj shtetit grek.
Paralelisht shumë shqiptarë kanë reduktuar depozitimet e tyre në bankat vendase, ose i kanë tërhequr paratë për arsye se kthehen në Shqipëri, ose sepse kanë frikë për të ardhmen e ekonomisë greke dhe nga rreziku se mund të humbasin paratë. Sipas të dhënave të kohëve të fundit ka rezultuar se shqiptarët, pasi i tërheqin paratë nga Greqia, nuk i depozitojnë në bankat greke në Shqipëri, por në ato italiane.
“Gjithashtu, sipas informacioneve të Ministrisë së Jashtme greke mësohet se shqiptarët që ikin nga Greqia nuk flasin fjalë të mira për Greqinë, e për pasojë krijohet një klimë e rëndë për minoritarët që jetojnë në Shqipëri”, shkruan gazeta “I Apopsi”, një prej të përditshmeve greke.
Kënaqësia që morën në fillim disa krerë të qeverisë se është kufizuar hyrja në Greqi e klandestinëve dhe se shumë të tjerë po ikin, mesa duket po kthehet në shqetësim tepër të madh.
Arsyeja e këtij shqetësimi janë statistikat e publikuara ditët e fundit, sipas të cilave fenomeni i largimit të emigrantëve është shumë shqetësues.
Tre muajt e fundit është shtuar shumë largimi i emigrantëve nga Greqia, të cilët kthehen në atdheun e tyre. Paralelisht, një numër i madh emigrantësh përpiqet të gjejë punë në Greqi, por mendojnë njëkohësisht të kthehen në vendin e tyre.
Lëvizja e të huajve për riatdhesim ka filluar që prej një viti e gjysmë. Por gjatë tremujorit të fundit kjo dukuri ka qenë mjaft e theksuar, siç janë thelluar edhe shumë shenja që tregojnë se pjesa më e madhe e emigrantëve po mendojnë të kthehen në vendin e tyre.
Shqetësimi i politikës greke, por edhe i organeve të sigurisë, filloi kur të dhënat tregonin se të larguarit ose ata që mendojnë të ikin janë emigrantë të ligjshëm, çifte të moshuar ose të rinj që punonin në Greqi, që kishin siguracione dhe dokumente dhe në përgjithësi ishin familjarë shembullorë.
Sipas statistikave, pjesa më e madhe e emigrantëve që ka ikur ose që do të ikë nga Greqia, janë shqiptarë. Por frika më e madhe është fakti se duke ikur emigrantët e ligjshëm, në Greqi do të mbeten vetëm ata të paligjshmit, gjë që mund të ndikojë në rritjen e nivelit të kriminalitetit.
I njëjti fenomen po ndodh edhe për shtetasit e vendeve të Bashkimit Europian që jetojnë e punojnë në Greqi. Këta janë në shumicë rumunë dhe bullgarë të cilët po largohen nga Greqia. Megjithatë shifrat nuk janë fort të sakta, pasi ata e kalojnë kufirin pa u regjistruar, ndryshe nga shqiptarët.
#