Sezoni veror shton ndjeshëm lëvizjet në Doganën e Muriqanit
çmimet më të lira dhe lehtësirat në pikat e kontrollit doganor kanë bërë që mijëra emigrantë, kryesisht nga Veriu i Shqipërisë dhe Kosova, të preferojnë portet e Malit të Zi dhe pikën e kalimit të Muriqanit për të hyrë në Shqipëri. Sipas statistikave, gjatë dy javëve të fundit, numri i hyrjeve në pikën kufitare të Muriqanit shënon rreth një mijë hyrje në ditë, duke bërë që kjo doganë, nga kalon rruga më e shkurtër tokësore që lidh Shqipërinë me Perëndimin, të përballet me një dyndje hyrjesh. Nga viti në vit, sipas statistikave, vihet re një shtim i fluksit të emigrantëve që përdorin Portin e Malit të Zi për të hyrë më pas në Shqipëri, nëpërmjet pikës së kalimit të Muriqanit në Shkodër.
StatistikatSipas shifrave zyrtare të marra nga kjo pikë e kalimit kufitar, vetëm për këto dy javë kanë hyrë në territorin shqiptar 15946 persona, nga të cilët 3327 janë shqiptarë dhe 12619 shtetas të huaj. Sipas drejtuesve të pikës së kalimit kufitar të Muriqanit, shifrat e krahasuara me ato të një viti më parë, flasin për një rritje të ndjeshme të hyrjeve dhe pritet që në fund të korrikut dhe fillim të gushtit të ketë dyndje. Për të shmangur radhët e gjata, autoritetet kufitare kanë shtuar dy sportele, si dhe është rritur ndjeshëm numri i personelit që shërben në këtë sektor të pikës së kalimit kufitar. Po sipas drejtuesve të pikës së kalimit kufitar, mësohet se të huajt që hynë në Shqipëri janë kryesisht turistë çekë, polakë, rumunë, serbë dhe rusë. Nuk janë të paktë edhe shtetasit e Kosovës që kthehen nga vendet e Europës Perëndimorë për në shtëpitë e tyre, ose për të kaluar pushimet në bregdetin e Shqipërisë.
Ndërsa shtetasit shqiptarë që kthehen janë pothuajse të gjithë emigrantë nga Italia apo vende të tjera të Europës Perëndimore, të cilët ndjekin rrugën e kthimit me tragetet e linjave malazeze, ose ndjekin rrugën tokësore nga Italia në Shqipëri, duke rrugëtuar përgjatë gjithë bregdetit dalmat. Ndërkohë, drejtues të pikës së kalimit kufitarë të Muriqanit shprehen se pavarësisht lehtësirave që po krijohen, po tregohet vëmendje ndaj personave të shpallur në kërkim, të cilët shfrytëzojnë radhët e gjatë për të kaluar kontrollet në pikat e kalimit kufitar.
Pika e kalimit kufitar në Muriqan është e vetmja në Ballkan që funksionon me sportele të përbashkëta të dy shteteve, duke bërë që të reduktohen mjaft radhët e gjata të emigrantëve që duan të kthehen në Shqipëri. Pika e përbashkët e kalimit shqiptaro-malazez është një projekt pilot i BE-së, i cili është bërë për të parë se si mund të funksionojnë bashkëpunime të tilla mes dy shteteve fqinje. Nëse rezulton i efektshëm, mendohet që dhe pikat e tjera kufitare në Shqipëri dhe në Ballkan të procedojnë në mënyrë të përbashkët.
#