E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët, fluks në pikat doganore

 

KORÇE/ VLORE - Fluksi i emigrantëve në pikën kufitare të Kapshticës dhe në portin e Vlorës, dje është rritur ndjeshëm. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në Kapshticë kaluan 4432 emigrantë dhe 930 mjete. Ata u favorizuan nga masat që ishin marrë për ta bërë të kalueshme aksin rrugor Korçë - Kapshticë, përgjatë së cilës ishte hedhur kripë. Po kështu në të dyja anët e kufirit punohej me nga 6 sportele. Duke filluar nga 1 janari, në tokën greke kanë hyrë 15 mijë emigrantë. Vështirësia e vetme që kanë përballuar ata ka qenë moti i keq, pasi ngricat rrezikonin aksidente të rënda. Për të përballuar fluksin, drejtuesit e policive të të dy vendeve kanë zhvilluar takime që kishin synim lehtësimin e kalimit në anën tjetër të kufirit. Në ditët që vijnë pritet fluks më i madh, për shkak se më 8 janar në Greqi fillojnë mësimin shkollat. Edhe në portin e Vlorës dje kishte fluks emigrantësh për në Itali. Në dy tragetet e linjës Brindizi-Vlorë janë imbarkuar rreth 2500 pasagjerë dhe 600 automjete. Sipas autoriteteve portale, shifra e djeshme ishte më e larta e shënuar në ditët e para të këtij viti. Drejtori i Policisë së Kufirit dhe Emigracionit për qarkun e Vlorës, Myzafer Elezi u shpreh se pavarësisht fluksit, situata është nën kontroll. Ndërsa emigrantët u shprehën se radhët, në krahasim me një vit më parë, janë më të pakta dhe nuk ka shumë vonesa në port. I vetmi shqetësim i tyre ishte çmimi më i lartë i biletës, rreth 10 euro më shumë.                     j.gj/q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›