Nafta, konkurrenca kundër vendimit të qeverisë
Fabiola Çela
Qeveria duhet të lejojë importimin e naftës D2. Kjo pasi nëse bllokohet importimi i D2-it, atëherë shkelet konkurrenca e lirë në tregun e karburanteve. Këtë herë rekomandimi është dhënë nga vetë Autoriteti i Konkurrencës.
Konkurrenca
Importuesit e karburanteve janë shprehur kundër vendimit të qeverisë për bllokimin e naftës D2, që vjen nga jashtë. Kjo pasi sipas tyre me anë të këtij vendimi shkelet konkurrenca e lirë në tregun e karburanteve. Për këtë importuesit janë ankuar edhe pranë Autoritetit të Konkurrencës. Pasi ka shqyrtuar të gjithë vendimin e qeverisë dhe ankesat e importuesve, Autoriteti i Konkurrencës ka dalë në një përfundim me importuesit, se qeveria duhet të shfuqizojë këtë vendim. Konkretisht në mbledhjen e zhvilluar pak ditë më parë, Komisioni i Konkurrencës ka shqyrtuar çështjen me objekt kufizimet të konkurrencës nga vendimi i Këshillit të Ministrave "Për Cilësinë e Lëndës Djegëse, të Prodhuar nga Rafinimi i Naftës Bruto, Vendase". "Pas shqyrtimit të "Raportit të Vlerësimit mbi Ndikimin e Akteve Ligjore dhe Nënligjore në Tregun e Karburanteve" e në mënyrë të veçantë për produktin lëndës djegëse diesel sipas standardit S SH EN 590 dhe ankesën e Shoqatës së Shoqërive Hidrokarbureve ka konstaton se: Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 1110, datë 30.07.2008, "Për Cilësinë e Lëndës Djegëse, të Prodhuar nga Rafinimi i Naftës Bruto, Vendase", në tregun e produktit lëndë djegëse diesel, sjell kufizime të konkurrencës për shkak të aplikimit të kushteve të pabarabarta të tregtimit ndërmjet ndërmarrjeve, në lidhje me produktin vendas dhe atë të importit" thuhet në deklaratën për shtyp të këtij institucioni. Në këto kushte Komisioni i Konkurrencës, vendosi t'i rekomandojë Këshillit të Ministrave shfuqizimin e vendimit "Për Cilësinë e Lëndës Djegëse, të Prodhuar nga Rafinimi i Naftës Bruto, Vendase" pasi kufizon konkurrencën mes ndërmarrjeve që veprojnë në treg.
Vendimi
Sipas vendimit të qeverisë të marrë më 30 korrik të 2008-ës, nuk do të tregtohet më naftë D2, e cila sipas ekspertëve është naftë e cilësisë së dobët. Sipas vendimit të qeverisë, duke nisur nga 1 janar 2011, përmbajtja e squfurit në lëndën djegëse, për motorët, diezel, nuk lejohet të kalojë vlerën 150 mg/kg dhe përmbajtja e hidrokarbureve policiklike aromatike nuk lejohet të kalojë vlerën 16% m/m. Gjithashtu duke nisur nga data 1 janar 2012, përmbajtja e squfurit në lëndën djegëse, për motorët, diezel, nuk lejohet të kalojë vlerën 10 mg/kg dhe duhet të plotësojë kërkesat e standardit shqiptar S SH EN 590 ose të standardeve të tjera, të barazvlefshme me të.
Nafta, 47 dollarë fuçia
Çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare ka pësuar një rritje të lehtë. Sipas mediave të huaja, në tregjet ndërkombëtare një fuçi naftë është kuotuar me 47.61 dollarë. Krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, çmimi i arit të zi ka pësuar një rënie drastike. Shkak për këtë ishte kriza financiare globale. Ndërkohë në tregun vendas, çmimi i karburanteve ka pësuar një rënie të lehtë krahasuar me muajt e verës. Një litër naftë e cilësisë së parë eurodiesel në Tiranë shitet mesatarisht me 112 lekë, ndërsa një litër naftë e thjeshtë apo diesel shitet me 106 lekë dhe benzina me 107 lekë. Sipas tregtarëve të karburanteve, dy janë faktorët që ndikojnë në çmim, i pari është akciza dhe e dyti është çmimi ndërkombëtar. Por edhe pse çmimi i arit të zi në bursa ka pësuar një rënie të madhe, në tregun vendas një rënie e tillë nuk është reflektuar. Ndërkohë që e kundërta ndodh në rastet kur çmimi i naftës në bursa rritet.