Kriza: Eksportet bien me 5 % për një muaj
Kriza globale financiare ka thënë efektin e saj edhe në ekonominë vendase. Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më parë nga ekspertët e ekonomisë, eksportet e mallrave kanë pësuar rënie. Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave, gjatë muajit nëntor janë eksportuar 9,092 milionë lekë mallra, duke pësuar një ulje prej 5 për qind në krahasim me muajin tetor. Ndërsa krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, eksportet kanë pësuar një rënie prej 0.4 për qind. Sipas ekspertëve të ekonomisë, kriza globale financiare përveç rënies së eksporteve do të ndikojë edhe në rënien e dërgesave të emigrantëve. Kriza që ka përfshirë shumë shtete të mëdha, ende nuk dihet se kur do të përfundojë. Ndërkohë të dhënat më të fundit nga INSTAT-i tregojnë se gjatë muajit nëntor defiçiti tregtar është 29,800 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 9.6 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 7.9 për qind, krahasuar me muajin respektiv të vitit 2007. Kjo do të thotë se ekonomia vendase vazhdon të jetë e orientuar drejt importeve. Ndërkohë, tregtia me vendet e Bashkimit Evropian zuri 66.5 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 60.7 për qind dhe importi 30.9 për qind, kurse me Greqinë, eksporti është 7 për qind dhe importi 13.2 për qind. Krahasimi me muajin paraardhës për disa nga grup mallrat tregon që: Eksporti i grupit "Lëkurë dhe artikujt prej tyre" u rrit 64.2 për qind, "Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi" u rrit 9.4 për qind, "Prodhime druri dhe letre" u rrit 6.6 për qind, etj,. Ndërsa eksporti i grupit "Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike" u ul 13.9 për qind, etj. Importi i grupit "Lëkurë dhe artikujt prej tyre" u rrit 19 për qind, "Materiale ndërtimi dhe metale" u rrit 0.4 për qind. Ndërsa importi i grupit "Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike" u ul 19.1 për qind, etj,. Sipas të dhënave nga INSTAT, importi i mallrave me akcizë gjatë muajit nëntor ka pësuar rënie. Në fakt të ardhurat nga akciza zënë një vend të rëndësishëm në të ardhurat e buxhetit të shtetit. Konkretisht, sipas INSTAT-it gjatë muajit nëntor, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 3.857 mln lekë, duke zënë 9.9 për qind ndaj totalit të importit. Krahasuar me tetorin e 2008, importi i mallrave me akcizë ka pasur ulje prej 18.9 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave e zënë nënproduktet e naftës me 66 për qind.