E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nënë, lutju zotit për mua”, pi fostoksinë 16-vjeçarja

 

SHKODER / RITVAN DIBRA

I jep fund jetës për shkaqe ende të pazbardhura një 16-vjeçare. Duke lënë një letër, ku i lutej së ëmës të mos derdhte lot për vajzën e vetme, adoleshentja ka ndërruar jetë mesditën e së dielës.
Policia e Shkodrës bëri dje të ditur ngjarjen e rëndë, të ndodhur në fshatin e largët, Hot i Ri, komuna Rrethina. Vajza, me inicialet S.B. kishte gëlltitur një sasi të konsiderueshme fostoksine, duke mos mundur të mbijetojë megjithë ndihmën e shpejtë që mjekët i dhanë në spitalin e qytetit. Paraditen e së dielës, 16-vjeçarja, sipas dëshmive të familjarëve të saj ndodhej e vetme në shtëpi, pasi ata po bënin disa vizita te të afërm. Kur janë kthyer kanë gjetur vajzën në gjendje tepër të rëndë shëndetësore, që nuk mund të nxirrte asnjë fjalë. Me urgjencë e kanë nisur për në spitalin e Shkodrës, ku ka mbërritur rreth orës 12:30. Mjekët pohuan se e kanë kuptuar nga shenjat që bëhej fjalë për një vetëhelmim dhe menjëherë i kanë dhënë ndihmën e shpejtë. Por, rreth 1 orë më vonë, vajza ndërroi jetë. Në spital ka mbërritur dhe një grup hetimor, për të zbardhur shkaqet e vdekjes së adoleshentes. Një letër e lënë prej 16-vjeçares ka qenë prova e vetme e vetësakrifikimit të saj. Nga burime të policisë pohohet se në letër ishin shkruajtur vetëm dy fjali: "Nënë unë po iki nga kjo botë. Të lutem të mos mbash zi për mua dhe të lutem lutju Zotit gjithmonë". Vetë familjarët e vajzës kanë qenë të tronditur nga humbja e saj, pasi sipas tyre nuk kishin konstatuar asnjë shenjë depresioni. Adoleshentja nuk shkonte në shkollë dhe në dukje nuk kishte pasur ndonjë shqetësim. Fjalët e fundit në letrën e saj kanë bërë policinë të dyshojë për lidhjen e vajzës me ndonjë sekt fetar, por as kjo pistë nuk u konfirmua nga të afërmit e saj. Misteri ka mbuluar vetëflijimin në ditët e para të këtij viti. Materialet i kanë kaluar prokurorisë për hetime të mëtejshme. Ky është rasti i parë i vetëvrasjeve në Qarkun e Shkodrës. Gjatë vitit 2008 numri i personave që i kanë dhënë fund jetës me mënyra të ndryshme ka qenë rreth 15.

LETRA

"Nënë unë po iki nga kjo botë. Të lutem për një gjë, mos mbaj zi për mua. Të lutem lutju Zotit gjithmonë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›